Ekipi i notit që po e përfaqëson Kosovën në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj, Baku 2019, ka mbyllur sot garat.
Hana Fejzullahu ishte notarja e fundit që garoi sot në Baku 2019 në disiplinën 800 metra stil i lirë. Ajo pati kohën 10.20.03, që nuk i mjaftoi për t’u kualifikuar tutje.
Sot garuan edhe Jona Macula dhe Elona Zhugolli në 50 metra stil i lirë, të cilat përmirësuan rekordet e tyre personale, por që nuk u kualifikuan më tej.
Sporti i notit në Baku 2019 u përfaqësua edhe me notarët, Olt Kondirolli dhe Vigan Bytyqi, të cilët garuan në disiplina të ndryshme, kryesisht të stilit të lirë.
Suksesi i vetëm i notarëve tanë ishin thyerja e rekordeve personale dhe atyre të Kosovës.
Garat e notit edhe sot u përcollën nga drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani, nënpresidenti Gazmend Maxhuni dhe drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, Ibër Alaj.