Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Sinan Visoka, tha se e gjithë kjo procedurë ka ndikuar shumë keq në shëndetin e tij dhe se ai nuk e ka marrë asnjë cent më shumë se fatura për shërbimin noterial.
“Për ju është një procedurë e zakonshme, mu më ka ndiku personalisht. Nuk i kam marrë asnjë cent asnjërit prej palëve. Nuk e di prokuroria në bazë të çfarë më ka akuzuar… kanë shkru mediat, ndikimi në shëndetin tim është jashtëzakonisht i keq, sepse une vetëm punën time e kam kryer”, deklaroi Visoka gjatë dhënies së mbrojtjes.
Në këtë rast Visoka po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi që ka përpiluar aktvendim për shqyrtim të trashëgimisë duke mos përfshirë trashgimtarët ligjor, ndërsa Lirim Mehmeti po akuzohet për veprën penale të mashtrimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kjo seancë vazhdoi me marrjen në pyetje të të akuzuarit Visoka nga mbrojtja e të dëmtuarit, avokatve Gazmend Mustafa dhe Saranda Keqekolla-Sadiku.
Në pyetjen e avokates Keqekolla se a ka kërkuar i akuzuari Visoka certifikatat e lindjes së Lirim Mustafës, dhe të dëmtuarve Gazmend dhe Armend Mustafa (vëllezërve të Lirimit), me rastin e përpilimit të aktvendimit për shqyrtimi të trashëgimisë, i njëjti përgjigjet se po.
“Tek unë është dorzu dëshmi vdekja si dhe dokumentet përcjellëse që bashkëngjiten në dëshminë e vdekjes, si certifikata e lindjes së tre trashëgimtarëve, certifikata e pronës, me sa mbaj mend”, tha Visoka.
I njëjti, shtoi se ka qenë në dijeni se nipat po kërkonin trashëgimin nga gjyshi i tyre R.M, pasi që prona që është objekt-kontesti në këtë procedurë ka qenë në emër të tij.
Në pyetjen e avokates Keqekolla, sa a ka qenë i detyruar që të kërkojë certifikatën e vdekjes së babit të tyre Sh.M, Visoka tha se të njëjtit kanë poseduar një certifikatën mjekësore ku shkruan saktë vdekja e të ndjerit.
“Kur theksoj certifikatën e vdekjes, theksoj për SH.M, për babin e tyre, pasi që për gjyshin, R.M, veç ka qenë certifikata e vdekjes”, shtoi tutje Visoka.
Në pyetjen se a e konsideron lëshim ligjor që në rastin konkret nuk është përmendur certifikata e vdekjes së SH.M, në procesverbalin e shqyrtimit të trashëgimisë, i njëjti tha që nuk e konsideron lëshim ligjorë, pasi që e gjithë procedura ka variuar në bazë të asaj certifikate.
“Nëse keni para vetës një dëshmi të vdekjes nuk është asnjë rubrikë ku shkruan emri, në këtë rast i SH.M, por dirket shkruan emri i trashëgimtarëve. Nuk përmendet emri i babit, por emri i pronarit të palujtshmerisë dhe i palëve në këtë rast”, deklaroi Visoka.
Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, Sulltane Hoti, duke marrë parasysh këtë fakt dhe që prona gjendet në emër të R.M, gjyshit të Lrimi, Gazmend dhe Armend Mustafës, dhe jo në emër të babit të tyre, SH.M, pse nuk ka kërkuar që t’i sigurohet dokument-statusin mjekësor të trashëgimtarëve të R.M, ku njëri nga ta ka qenë edhe SH.M, i njëjti tha se i ka njoftuar palët lidhur me njoftimin e trashëgimtarëve të tjerë.
“Pikërisht, dëshmi vdekja është dokument i besueshëm, por në procesverbal shihet qartë vërejtja ime, ndaj trashëgimtarëve dhe gjithë palëve tjera në atë seancë që jenë të obliguar dhe janë të njoftuar për pasojat, që t’i njoftojnë të gjithë trashëgimtarët e mundshëm, pasi që ne nuk e kemi një sistem të tillë që mund ta verifikojmë”, deklaroi Visoka.
Tutje, gjatë kësaj seance ishte planifikuar që mbrojtjen ta jap edhe i akuzuari tjetër Lirim Mustafa, por i njëjti kërkoi nga trupi gjykues që të caktohet një datë tjetër, pasi që i njëjti nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe emocionale për shkak të vdekjes së vëllait të tij.
Andaj, trupi gjykues ndërpriti seancën për të vazhduar një datë tjetër.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 tetor 2020, i akuzuari Sinan Visoka akuzohet se në cilësinë e noterit më 15 shkurt 2016, kishte përpiluar aktvendim me të cilin kishte shpallë trashëgimtar ligjor të akuzuarin Lirim Mustafa, nip i të ndjerit R.M për ngastrën kadastrale në sipërfaqe 993 m2, duke ia mohuar të drejtën e trashëgimisë ligjore të dëmtuarve, të cilëve iu kishte shkaktuar edhe dëm pasuror.Ndërsa, i akuzuari Lirim Mustafa thuhet se me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, në mënyrë mashtruese iu kishte shkaktuar dëm pasuror të dëmtuarve, të cilin i akuzuari Visoka e kishte shpallur trashëgimtar.
Visoka po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe në bashkëkryerje më të akuzuarin Lirim Mustafa edhe për veprën penale “Mashtrimi”.