Policia britanike ka hedhur poshtë mundësinë e përfshirjes së agjentit nervor, Noviçok, në një incident ku janë përfshirë dy persona, të cilët janë sëmurë pasi kanë ngrënë ushqim në një restorant në Sallsbëri, qytet në të cilin janë helmuar ish-agjenti rus, Sergei Skripal dhe vajza e tij, Yulia në muajin mars.
“Mbrëmjen e kaluar, Policia dhe partnerët kanë njoftuar për një incident të madh, pas raportimeve se dy persona janë sëmurë në Sallsbëri”, ka thënë Policia në mëngjesin e 17 shtatorit.
“Tani mund të konfirmojmë se nuk asnjë gjurmë se Noviçoku është përdorur. Në këtë fazë, ende nuk është bërë e ditur nëse është kryer ndonjë krim dhe hetimet janë duke vazhduar”, është thënë në deklaratë.
Policia ka thënë se një burrë në të 40-at dhe një grua në të 30-at janë sëmurë pasi kanë ngrënë ushqim, mirëpo kanë pasur vetëdije derisa kanë arritur ambulancat në skenën e incidentit.
Muaj më parë në po të njëjtin qytet ishin gjetur pa ndjenja Skripalët.
Ata kanë qenë në gjendje kritike dhe kanë kaluar javë të tëra në spital, ndonëse tani janë liruar dhe po shërohen në një lokacion sekret.
Zyrtarët britanikë kanë thënë se Skripalët janë helmuar me Noviçok, armë kimike e kategorisë ushtarake, e zhvilluar në kohën e Bashkimit Sovjetik, si dhe është akuzuar Qeveria e presidentit rus, Vladimir Putin për kryerje të sulmit.
Rusia mohon vazhdimisht përfshirjen, derisa një përballje diplomatike për këtë rast ka rezultuar me sanksione dhe dëbim të më shumë se 150 diplomatëve rusë nga dhjetëra shtete Perëndimore.