Mediat në Serbi që mbështesin politikën e Aleksandar Vuciq vazhdojnë të prodhojnë narrativa propagandistike kundër Kosovës dhe Bosnje dhe Hercegovinës. Së fundmi, ‘Novosti’ ka dalë me një linjë të re propagandistike, duke sulmuar drejtpërdrejt mediat publike në Kosovë dhe Bosnje, përkatësisht RTK dhe RTV FBiH, të cilat i paraqet si “pjesë e një skeme më të gjerë kundër interesave serbe”.
Në këtë tekst, marrëveshjet e bashkëpunimit mes institucioneve mediatike në rajon paraqiten si kërcënime të drejtpërdrejta ndaj Serbisë dhe popullit serb. Pretendohet se këto media po devijojnë nga misioni i tyre publik dhe po përdoren për të promovuar narrativa që bien ndesh me interesat serbe.
Në diskursin e ndërtuar nga ky medium i afërt me pushtetin, bashkëpunimet rajonale interpretohen si pjesë e një strategjie më të gjerë kundër Serbisë, ndërsa komuniteti serb në Kosovë vendoset në qendër të kësaj narrative, duke u përdorur si argument kryesor për ta përforcuar atë.
Teksti thekson se marrëveshja mes mediave përfaqëson “një fazë të re të luftës hibride kundër faktorit serb në Ballkan”, ndërsa bashkëpunimi ndërmjet RTV FBeH dhe RTK cilësohet si “front informativ i përbashkët”. Gjithashtu përdoren terma si “artileri informative” dhe “propagandë logjistike” për të përshkruar këtë bashkëpunim.
Më tej, pretendohet se përmes “bashkëprodhimeve” synohet “relativizimi i pozitës së serbëve”, duke e cilësuar këtë si “kulm cinizmi”. Një tjetër element i narrativës është pretendimi se kanali RTK 2 është shndërruar në “platformë për promovimin e narrativës shqiptare”, duke sugjeruar margjinalizim të komunitetit serb.