“Novosti”: Zgjidhja për Kosovën do të diskutohet edhe në KS të OKB-së

Prishtinë | 24 Gus 2018 | 11:19 | Nga

Zgjidhja përfundimtare për Kosovën, nëse arrihet midis Beogradit e Prishtinës, do të duhej të diskutohej edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kështu shkruan e përditshmja e Beogradit “Veçernje novosti”, e cila thirret në burime të saj nga qarqe diplomatike, transmeton Koha.net.

Në këtë mënyrë kjo temë rikthehet nën mbikëqyrjen e organizatës botëror, nga e cila u hoq përmes një rezolute më 2010, që e kishin parashtruar autoritetet e atëhershme serbe, duke e futur praktikisht në duart e Bashkimit Europian, si ndërmjetës në dialogun midis dy palëve, shkruan kjo gazetë.

“Novostit”, ky rend hapash krijon hapësirë që Beogradi pozicionin e vet strategjik ta ndërtojë me mbështetjen e Moskës e të Pekinit, ndërsa, siç pritet, në diskutimin eventual para qeverisë botërore, rol vendimtar gjithsesi do të luajnë Rusia dhe SHBA.

Këto dy fuqi, siç paska marrë vesh “Novosti”, do të duhej të bisedonin për modalitetet e zgjidhjes së nyjës së ngatërruar të Kosovës, por të dihet se me Moskën ekziston një marrëveshje e fortë që ajo të mbështesë propozimin që do ta paraqesim (e ka fjalën për Serbinë, sqarim ynë).

Kjo gazete citon ambasadorin e dikurshëm Millovan Bozhinoviq, sipas të cilit do të ishte politikisht e logjikshme, nëse arrihet marrëveshja, që ajo t’i prezantohet Këshillit të Sigurimit dhe nga ky këndvështrim ai e sheh rolin e forcuar në kohë të fundit të Rusisë në këtë proces, transmeton Koha.net.

“Para Këshillit të Sigurimit mund të arrijë vetëm dokumenti i dakordësuar mes anëtareve të këtij organi dhe jo si propozim të cilin Rusia ose SHBA do të çonin gishtat kundër. Nëse do të jetë opsion i pranuar nga të gjithë, ai atëherë do të ndërlidhej me Rezolutën 1244 dhe që në këtë proces të vihet pika”, vlerëson ky ish-diplomat, shkruan “Novosti”.

 

Të ngjashme