NPB: Policia mori dokumentet për projektin e ndërtimit në Lakërishtë, fikën kamerat gjatë kontrollit

Prishtinë | 21 Kor 2022 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Ndërmarrja Publike Banesore e ka quajtur të paarsyeshëm aksionin e Policisë në këtë ndërmarrje.

Përmes një komunikate për media kanë thënë se më 19 korrik, një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë paraqitur pranë zyrave të NPB-së dhe kanë paraqitur një urdhër kontrolli për të marrë një numër të dokumenteve të ndërmarrjes.

Sipas tyre, këto dokumente ndërlidhen me projektin më të rëndësishëm të Ndërmarrjes, projektin e ndërtimit në Lakërishtë.

“Nga ajo që kemi kuptuar është që të gjitha këto dokumente që janë kërkuar i ishin dorëzuar organeve të rendit 5 muaj më herët. Pasur parasysh këtë fakt, kërkesa e tyre është e pakuptimtë. Përgjatë orëve që këta zyrtarë policorë ishin në ambientet tona, kanë bërë shkelje ligjore. Ata kanë qëndruar në dy kate duke mos lejuar praninë e askujt nga zyrtarët tanë për rreth një orë. Për më shumë ata kanë tejkaluar çdo limit me një veprim tjetër po ashtu të kundërligjshëm: për një orë që ata kanë qëndruar pa prezencën e zyrtarëve të NPB në katin e dytë dhe të tretë i kanë ndalur të gjitha kamerat e sigurisë duke vepruar në kundërshtim me nenin 108 pika 6 të Kodit nr. 04/L-123 të Procedurës Penale”, thuhet në njoftim.

Sipas NPB-së, e gjithë kjo veprimtari e këtyre zyrtarëve policorë është në kundërshtim me dispozitat përkatëse të procedurës penale në fuqi, duke shtuar se për të njëjtën NPB-ja do marrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjor për ta adresuar këtë ndërhyrje të paprecedentë në një Ndërmarrje Publike.

“NPB deri më tani ka dëshmuar bashkëpunim me çdo institucion publik në raport me çdo kërkesë që i është paraqitur përfshirë këtu edhe organet e rendit publik në përputhje me nenin 66 të Kodit nr. 04/L-123 të Procedurës Penale. Projekti i ndërtimit në lagjen Lakërishtë që përbën rritjen më të madhe të një prone publike ndonjëherë nga paslufta e tash, ka qenë cak i sulmeve të orkestruara tash e sa kohë, ndonëse Qeveria e humbi rastin për anulimin e këtij projekti në dy instanca gjyqësore ku edhe u vërtetua ligjshmëria e këtij projekti”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme