Nrecaj për deklaratën e Kurtit: Gjyqtarët e prokurorët s’mund t’i ruajnë qytetarët, Qeveria të ketë strategji për Policinë

Prishtinë | 10 Gus 2023 | 08:57 | Nga Hana Lohaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Avokati Anton Nrecaj ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, se lidhur me ngjarjet me fund tragjik si kjo që ndodhi në lokalin “Bon Vivant” javën që lamë pas, janë pasojë e mos punës së gjyqësorit, edhe pse thotë se gjyqtarët dhe prokurorët nuk mund t’i ruajnë qytetarët, raporton Ekonomia Online.

Nrecaj u shpreh se barrën në këto raste me fatalitet e bartë edhe Policia, por që thotë se shtetit duhet që të ketë një plan që të dihet se ku është problemi. Ai tërhoqi një paralele duke krahasuar shpejtësinë e arritjes në vend të ngjarjes së Policisë në cilindo vend anëtar të Bashkimit Evropian dhe shpejtësia e arritjes në vend të ngjarjes në Kosovë. 

“Deri diku mund të pajtohem me deklaratën e kryeministrit, që një pjesë e asaj që po ndodhë është pikërisht dështimi i sistemit të drejtësisë. Mirëpo nuk është vetëm sistemi i drejtësisë që ka dështuar. Sepse në raste të tilla kur kemi të bëjmë me çështje të sigurisë, gjyqtarët dhe prokurorët nuk mund t’i ruajnë qytetarët. Ata merren me çështjet e zbatimit të drejtësisë, kurse me çështjet e sigurisë merret Policia. Në këtë situatë, pra në këtë rast, kryeministri duhet ta ketë fokus, superprioritet Policinë që të investojë në krijimin e njësive të veçanta, speciale që i trajtojnë këto çështje. Do të thotë njësinë e policisë e cila reagon shumë shpejtë në raste ku kemi të bëjmë me vjedhje, me raste të vrasjeve sikur që po ndodhin në situata të ditëve të fundit. Dhe në këto situata, në një vend, nëse e bëjmë një krahasim mënyrën se sa shpejtë vjen ose arrin policia në vendin e ngjarjes atëherë kemi dështim”.

“Nuk dua ta fajësoj Policinë pse po dështojmë, por në këtë rast shteti, ministria përkatëse, domethënë Ministria e Punëve të Brendshme duhet ta bëjë një plan, një strategji, ta identifikojë, ku është problemi, pse Policia nuk mund të arrijë në kohë në vendin e ngjarjes. Dhe kjo nëse e krahasojmë me mënyrën se si vendet e BE-së, në çfarë kohe reagojnë, atëherë në vendet e BE-së në situata të tilla, jo më shumë se, pra maksimumi i kohës së arritjes në vendin e ngjarjes nga ana e policisë është një deri në dy minuta. Domethënë pesë minuta nuk tolerohet. E gjithë barra e përgjegjësisë i bie mbikëqyrësve të asaj njësie të policisë, stacionit ku gjendet. Kurse tek ne e kemi 15 minuta arritjen e Policisë në vendin e ngjarjes. Tash llogarite nëse një person është i plagosur ta zëmë gjatë një konflikti, dhe i njëjti person duhet ta presë policinë në mënyrë që të vijë ambulanca e të ndërhyjë. Ndoshta për dy minuta mund të shpëtohet jeta”, u shpreh Nrecaj.

Sa i përket deklaratave të bëra nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, që Prishtina duhet ta ketë policinë e vetë, Nrecaj tha se Policia e Qytetit duhet bërë, por nuk ka për detyrë të merret me të tilla raste.

Në fakt, sipas Nrecajt, kjo polici do merret me patrullime në mënyrë që qytetarët të ndihen më të sigurt.  Mirëpo në raste të tilla ku mund të ketë shkëmbime zjarri, sipas avokatit në fjalë duhen të merren policët e Njësiteve Speciale.

“Unë kam parë kohët e fundit ku kam parë se është thënë që Prishtina duhet ta ketë policinë e vetë. Policia e Qytetit merret me raste tjera, merret me situatat e vrasjeve dhe të vjedhjeve. Është një polici e cila ndihmon në aspektin komunal. Do të thotë në komunë për t’i zbatuar ato pjesët, dhe në një farë forme ta bëjë një lloj patrullimi që qytetarët të ndihen më të sigurt. Por në raste të tilla ku mund të ketë shkëmbime zjarri me policinë atëherë duhet të jenë policë të përgatitur të nivelit të lartë. Kjo është e para. E dyta, po pjesë e sistemit të drejtësisë, sepse kemi shumë raste ku qytetarë ose persona të cilët kanë kryer vepra penale, kanë dosje, të kaluar kriminale dhe të njëjtit kanë vazhduar të bëjnë vepra penale, gjithmonë duke qenë të liruar në forma të ndryshme nga sistemi i drejtësisë, dhe ky është dështim, sepse personat që kanë të kaluar kriminale, ata quhen recidivistë”, tha Nrecaj për Ekonomia Online.

Avokati Nrecaj adresoi edhe gatishmërinë që duhet të ketë Policia e Kosovës, sipas këtij, investimi nga ana e institucioneve duhet të vijë sa më parë, përfshirë këtu atë të Qeverisë.

“Nga ana tjetër institucionet, Qeveria e Kosovës duhet të investojë në Policinë e Kosovës. Policia e Kosovës duhet të jenë të trajnuar në mënyrë që t’i menaxhojnë këto situata. Ne kemi pasur edhe raste të tilla kur polici ka qenë jo shumë larg vendit të ngjarjes, pra e ka parë në mënyrë vizuele vendin e ngjarjes, krimin dhe nuk ka ndërhyrë për shkak se ka qenë i papërgatitur dhe nuk mund të ndërhyjë natyrisht sepse i rrezikohet edhe jeta. Mirëpo nga ana tjetër njësitë e specializuara për trajtimin e këtyre rasteve duhet të ketë në secilin stacion të policisë. Duhet të jetë një grup i gatshëm për të vepruar çdo sekondë. Në momentin kur pranohet thirrja raportohet që ka një rast, një situatë, një gjuajtje me armë apo çka do qoftë. Njësiti duhet të jetë i gatshëm që të veprojë”.

Të ngjashme