Nuhi Bytyçi fillon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Prishtinë | 04 Qer 2024 | 12:50 | Nga Ekonomia Online

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 70-të, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 71-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Nuhi Bytyçi në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar prokurori Matt Halling, i cili në përmbledhjen e lexuar tha se dëshmitari ka qenë gazetar i cili ka mbuluar UÇK-në gjatë luftës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dëshmitari 04411 ka qenë gazetar i cili ka mbuluar UÇK-në gjatë luftës. Ai ka bërë fotografi të elementeve ose momenteve të rëndësishme përfshirë edhe rolin në të cilin janë përfshirë të akuzuarit. Dëshmitari ka shkruar një libër rreth përvojës së tij të botuar në vitin 2019 që quhet “Libri i Luftës”, lexoi Halling.

Dëshmitari Bytyçi pohoi se është autori i një libri të titulluar “Libri i Luftës”, në të cilin pasqyrohen përjetimet e tij gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth dy ditë, përkatësisht 11 orë.

Ai tha se ZPS-ja ka paraparë 3 deri në 4 orë për pyetje, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve rreth 7 orë e gjysmë për kundërpyetje.

Deklaratat e dëshmitarit që rrjedhin nga seanca përgatitore me ZPS-në, u pranuan si prova materiale. Ndërsa, nëse libri i tij ai të pranohet tërësisht a po disa pjesë të tij mbeti që vendimi të merret pas pushimit me kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve pasi thanë që nuk e kundërshtojnë, por iu duhet konsultim mes vete për shkak të disa paqartësive.

Pas pushimit, me vendim të trupit gjykues, u pranuan të gjitha faqet e përkthyera të këtij libri.

Të ngjashme