Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Atdhe Nuhiu, pritet të largohet nga skuadra e Sheffield Wednesdayt në fund të këtij edicioni, kanë njoftuar të mërkurën mediumet angleze.
Nuhiu kohët e fundit po ka gjithnjë e më pak hapësira tek ekipi që garon në Championship të Anglisë. Në 15 ndeshjet e fundit, ai ka pasur vetëm nëntë paraqitje, kurse vetëm në dy raste ishte titullar te Sheffieldi, shkruan sot Koha Ditore.
Për herë të fundit, Nuhiu si titullar në kampionat ka luajtur në ndeshjen kundër West Bromwichit, që u zhvillua në fund të muajit dhjetor. 29-vjeçari këtë edicion ka shënuar tre gola në 29 paraqitje në të gjitha garat, kurse me Sheffieldin ka kontratë deri në vitin 2020.
Ai këtij ekipi iu bashkua në vitin 2013, kurse karrierë ka bërë edhe te Rapidi i Vjenës, Eskishehirspori, Riedi e Austria Karnteni. Nuhiu ka 13 paraqitje dhe dy gola të shënuar me Përfaqësuesen e Kosovës.