Nuk e kthyen në punë drejtorin e shkarkuar, Inspektorati dënon me 24 mijë euro bordin e Trepçës

Prishtinë | 25 Gus 2020 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati i Punës ka shqiptuar masën ndëshkimore ndaj anëtarëve të Bordit të Përkohshëm të ndërmarrjes “Trepça” në cilësinë e personave fizikë për moszbatimin e vendimit të këtij institucioni për rikthimin e Basri Ibrahimit në krye të kësaj ndërmarrje.

Sylejman Hyseni, Bahri Hyseni, Shyqyri Kelmendi dhe Shyqyri Sadiku janë dënuar me nga 6 mijë euro në cilësinë e personave fizikë thuhet në vendimin e Inspektoratit të Punës të siguruar nga Gazeta Online Veriu.info që mbanë datën 17 Gusht 2020.

Në arsyetimin e këtij vendimi të Inspektoratit të Punës thuhet se ky institucion kishte pranuar si të drejt ankesën e palës ankuese z.Basri Ibrahimi kundër vendimit të Bordit të Përkohshëm Mbikqyrës të Drejtorëve të “Trepça” sh.a. të datës 15 prill 2020 për shkarkimin e Kryeshefit Ekzekutiv të “Trepça” sh.a.

Ndaj këtij vendimi të Inspektoratit të Punës ishte parashtruar ankesa nga Bordi i Përkoshëm i ndërmarrjes Trepça, ku organi i shkallës së dytë përmes një vendimi të radhës së datës 3 gusht 2020 e kishte refuzuar ankesën si të pabazuar, dhe ku kërkohej zbatimi i vendimit për rikthimin e Basri Ibrahimi në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Trepçës.

Inspektorati i Punës bën të ditur se edhe pas një afati shtesë prej 3 ditëve për zbatimin e vendimit për rikthimin e z.Ibrahimi në pozitën e Kryeshefit, ky institucion prapë nuk ka pranuar një njoftim nga Bordi i Përkohshëm për zbatimin e vendimit.

Kujtojmë që Basri Ibrahimi u shkarkua nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të ndërmarrjes Trepça më 15 prill 2020 nga Bordi i Përkohshëm Mbikqyrës.

Ndaj këtij vendimi Ibrahimi kishte dorëzuar ankesë në Inspektoratin e Punës, e cila ishte pranuar si e drejt.

Të ngjashme