Pse???
Vazhdoj ta kem të pamundur ta kuptoj se si Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e Albin Kurtit për të diskutuar në një darkë private për çështje shtetërore.
Pranimi i kësaj ftese të stilit mafioz ku abortohen institucionet e shtetit dhe ftohesh për pazare në tavolinë me një kryeministër që të portretizon në vazhdimësi si armik të popullit, është një përkulje që anëtarët dhe votuesit e PDK-së nuk ia kanë pasur me borxh kryesisë së vet.
T’i përgjigjesh pozitivisht një thirrje të tillë për operim parapolitik nga një kryeministër që krejt infrastrukturën shtetërore e ka futur në funksion të linçimit dhe propagandës partiake është dorëzim që vetë historia shtet-ndërtuese e PDK-së nuk do ta falë.
Kjo qeveri, pos tjerash, ka lënë të pambuluara shpenzimet për avokatët e ish-krerëve të UÇK-së, i ka përjashtuar kategoritë e veteranëve të luftës krejtësisht duke i lënë nën pagën minimale dhe siç kanë treguar incizimet e publikuara nga mediat, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes çështjen e veteranëve e ka diskutuar me kriminelët e Listës Serbe.
Sikur të mos mjaftonin gjithë këto, a e keni parë cila është tema e takimit?
“Diskutim për agjendën legjislative të sesionit pranveror”.
Pra, diskutim se si Vetëvendosja do të çojë deri në fund mandatin.
Ky nuk është as takim për shkuarje në zgjedhje, e as për ndonjë interes vital të Kosovës siç do të ishte ndonjë dakordim më i zgjeruar për betejë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Cilat janë interesat e Memli Krasniqit t’ua bëjë këtë ofendim simpatizantëve të PDK-së për hesape të Albin Kurtit, nuk e di. Por, e di me siguri të plotë se ky është një veprim që nuk do të kalojë pa u ndëshkuar.