Gjykata Komerciale javën e kaluar pezulloi punimet në rrugën “A”. Shkak janë bërë pretendimi për mashtrim në tenderin mbi 8 milionë eurosh. Por, kryetari Përparim Rama duket se nuk është dorëzuar pasi sot ka publikuar pamje nga projekti i rrugës “Jim Xhema” apo “A”.
Rama ka thënë se kjo rrugë është ndër projektet më të rëndësishme për kryeqytetin.
“Në videon më poshtë mund të shihni trasenë e rrugës dhe të kuptoni rëndësinë e veçantinë e kësaj rruge 6 kilometra, e cila do të lidhë lagjet ‘Kalabria’ dhe ‘Mati’ me Prishtinën e Re, duke reduktuar kështu në masë të madhe kolonat, eliminuar në tërësi kundërmimin e ujërave të zeza në lagjen ‘Kalabria’ dhe rritur zhvillimin ekonomik në kryeqytet”, ka shkruar kryetari i Prishtinës në Facebook.
Andaj ai ka thënë se ndonëse mund të vonohet, “kjo rrugë do të bëhet, por do të realizohet për të mirën e të gjithë qytetarëve, jo vetëm të Prishtinës por të gjithë vendit”.
Ndryshe Rama e kishte quajtur vendimin e Gjykatës Komerciale si vendim politik.
Ai kishte akuzuar VV-në për ndërhyrje sepse sipas tij vendimi për pezullim të punimeve është marrë nga motra e deputetes së VV-së, Fitore Pacolli.