Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të vendosë për seancën e radhës parlamentare për shkak të mungesës së kuorumit, raporton Ekonomia Online.
Pas mbledhjes, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se është arritur pajtimi që në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë, të hënën e ardhshme, do të vendoset për seancën e re.
Ai tha se të hënën e ardhshme po ashtu do të caktohet për seancën në të cilën do të trajtohet çështja e Trustit.
“Meqenëse Kryesia nuk kishte kuorum që të përcaktojë seancat e radhës u dakorduam që vazhdimi i seancë ta kemi ditën e hënë dhe do ta përcaktojmë edhe rëndin e ditës, ku do të trajtohet çështja e trustit që t’iu jepet e drejta qytetarëve të kenë të drejta në këto mjete”.
“Kemi pësuar rritje çmimesh në secilin produkt. Dhe konsiderojmë që kjo pikë është jashtëzakonisht e rëndësishme. U dakorduam që ditën e hënë, të hënën e ardhshme, do ta përcaktojmë rendin e ditës për seancën e radhës në të cilën do të trajtohet pika për çështjen e Trustit”, tha ai.
Duke folur për kundërshtimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për mundësinë e tërheqjes së 30 për qind të Trustit, Tahiri ka thënë kundërshtime të tilla ka pasur edhe në kohën kur janë ngritur pagat, raporton Ekonomia Online.
“Ne kemi iniciuar një proces të tillë si kërkesë e rëndësishme për qytetarët. Partitë opozitare edhe nga komunitete jo shumicë do ta përkrahin një iniciativë e tillë. Shpresojmë që VV-ja të reflektojë karshi kësaj kërkesë të qytetarëve. Zyrtarë të FMN-së lëvizje kanë cilësur edhe ngritjen e pagave. Tash kemi numër të madh të qytetarëve që janë të interesuar ta lëshojnë Kosovën. Për ne është e rëndësishme mirëqenia qytetare dhe të mos krijojmë ambient që bëhet i papërballueshëm për të jetuar në këtë vend”, tha ai.
Tahiri tha se kanë pritur raportim nga shefi i Qeverisë për vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Madje, sipas tij, qeveria Kurti ka bërë hapa të gabuar në raport me ShBA-në.
“Ne kemi pritur zotëri Kurtin të vijë të raportojë edhe për vizitat në SHBA dhe deri tash kemi parë papërgjegjësi dhe arrogancë karshi jo vetëm opozitës por edhe qytetarëve. Presim të reflektojë dhe të vijë në kuvend të raportojë në raport me republikën e Serbisë. Shpresoj që qeveria ta veçojë situatën drejt karshi Serbisë me shtetin rus. Konsiderojmë që qeveria Kurti ka bërë hapa të gabuar me SHBA-në në lidhje edhe me gazin. Një investim i tillë do të përkthehet me siguri për vendin tonë. Qeveria Kurti ka bërë disa gabime në raport me SHBA-në”, tha në fund Tahiri.