Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka dhënë 30 minuta pauzë, pasi nuk janë përmbushur kushtet për nisjen e seancës së jashtëzakonshme të thirrur me nënshkrimet e 51 deputetëve të Kuvendit.
Veseli tha se nuk ka kuorum dhe nuk përmbushen kushtet për të nisur fare seanca, raporton Ekonomia Online.
“Duhet të jenë 61 deputetë në sallë, aktualisht janë 58-59 deputetë. Jemi në fazën e hapjes duhet me i jep përgjigje. Kryetarët e grupeve parlamentare të japin një adresim. Dëshironi pauzë apo dëshironi edhe mbledhjen e kryesisë që është edhe propozimi imi. Ka kaluar gjysmë ore nga fillimi i seancës… Shkojmë në pauzë”.
Vonohet seanca e thirrur nga opozita, Veseli fton deputetët ta bëjnë kuorumin
Deputetët e partive opozitare, dhe ata të Nismës për Kosovën, janë mbledhur në sallën e seancave plenare në Kuvendin e Kosovës.
Por, nuk janë 61 deputetë sa nevojiten për të nisur seanca.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka ftuar publikisht deputetët që të vijnë në sallë. “Nuk po thërrasim ndonjë pauzë, po e lëmë të hapur”, tha Veseli, raporton Ekonomia Online.
Në sallë janë edhe deputetët e LDK-së, Vetëvendosjes dhe PSD-së. Deputetët e AAK-së kanë bërë të ditur më herët se nuk do të jenë pjesë e kësaj seance.
As deputetët e PDK-së nuk ndodhen në sallën ku mbahen seancat plenare në Kuvend, derisa ata janë mbledhur në zyrën e Grupit Parlamentar të kësaj partie.
Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare ishte paralajmëruar që të nisë në orën 19:30.