Nuk ka mjete për pagat e profesorëve universitarë

Prishtinë | 30 Qer 2023 | 14:58 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Financave ka refuzuar të ekzekutojë pagat mujore të 122 pjesëtarëve të stafit të Universitetit të Prishtinës, për shkak të mungesës së mjeteve në dispozicion.

Një komunikim i brendshëm në mes të zyrtarëve të Thesarit të Shtetit dhe Ministrisë së Financave, tregon se për pagat e profesorëve universitarë janë importuar pagesat për vetëm një pjesë të stafit.

122 pjesëtarë të stafit të UP-së nuk i kanë marrë pagat mujore me rregull këtë muaj, raporton Paparaci. Pagesat për 122 punonjës janë refuzuar në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës.

“Janë importuar pjesërisht pagesat për shumën 359,109.19 nr zotimit 2023-68507″, thuhet në e-mailin e një zyrtarit të Ministrisë së Financave.

Zyrtari i MF-së, në këtë komunikim, thotë se pagesat e tjera për 122 anëtarët e tjerë të stafit do të kryhen “në momentin që alokohen mjetet për shumën e mbetur”.

“Bashkëngjitur gjeni listën me 122 pagesat që janë refuzuar në simfk se nuk ka mjete në dispozicion. Në momentin që alokoni mjete për shumën e mbetur, e përpiloni një listë në Excel për këta persona dhe na dërgoni në email”, thuhet në komunikim.

Pagat e punonjësve në sektorin publik janë proceduar të premten, më 30 qershor.

Të ngjashme