Testimi i fundit i PISA, që mat “të menduarit krijues” tek 15-vjeçarët, ishte dramatik. Ndër 64 vende, Shqipëria renditet në vendin e fundit, disa vende më keq edhe se sa ai që njihet si Shteti i Palestinës (Autoriteti Palestinez). Padyshim që ky lloj testi nuk dëshmon që nxënësit tanë janë më të dobëtit në Botë në të gjithë treguesit. Ky është vetëm një aspekt. Por eshtë shumë domethënës ama.
Për fat të keq, të tilla çështje, në vend që ti nënshtrohen një diskutimi serioz për të parë se çfarë duhet përmirësuar, apo nga t’ia nisim, përballemi me dy kategroi: Njëra që sulmon dhe shan dhe tjetra që hesht dhe shpreson që kjo të harrohet sa më shpejt.
Por, përse arritëm deri këtu? Nuk guxoj të futem në të dhëna teknike që nuk janë të fushës time (kurrikula, cilësia e teksteve, metodologjia, etj.)
Por:
Regresi i standardit të arisimit është pjesë e regresit të shoqërisë në tërësi. Të rinjtë nuk kishin interes të bëheshin mësues. Shkollat e larta që prodhojnë mësues, për vite me radhë, hapën dyert e futën studentë pa kritere. Ata u bënë mësues dhe nxënësit e tyre janë këta 15 vjeçarët e sotëm.
Në përpjekje për të pëmirësuar shkollën, u rend pas godinave të reja, më bojra, e me fusha basketbolli, por u bë fare pak për të rritur cilësinë e asaj që bëhet brenda këtyre godinave.
Rendja pas “të drejtave të fëmijëve”, bëri që mësuesi të qëndrojë “sus” para nxënësve dhe të ketë frikë të ngrejë zërin të vedosë qetësi në klasë, pasi del nëpër portale nga videot që i bëjnë fëmijët.
Bashkëpunimin shkollë-familje e shkatërrua. Në masë dërrmuese prindërit janë shumë indiferentë për mbarëvajtjen e fëmijëve në shkollë. Një gjeneratë e tërë, kishte e ka si synim vetëm ta veshë e ta ushqejë fëmijën, e në fund ti thotë: Ça të mungon? Unë kur isha si ti s’kisha brekë të vishja.
Në qytete (pasi në fshat as që mund të mendohet), mungojnë qendrat e kreativitetit. Nuk ka qendra kulturore që nxisin e kultivojnë talente, si: piktura, kërcimi, kënga, shahu, interpretimi (aktrimi) etj etj. Fëmijët dalin nga shkolla dhe ose “pëlcasin” sytë para telefonit, ose dalin edhe “lozin” me karriget e lokaleve që kanë pushtuar çdo pëllëmbë vend, edhe në hapësirat mes pallateve.
Shkojmë edhe më tej….
Cilët janë modelet që u ekspozojmë dhe ofrojmë ne këtyre adoleshentëve?
Llum, llum nga mëngjesi në mesnatë. Femra buzëpërveshura që tregojnë nëpër ekrane jetën e luksit, pa ditur të thonë se kur, ku dhe çfarë pune kanë bërë njëherë në jetën e tyre. Djem të shkarravitur me tatuazhe e brekët nëpër këmbë, që ekspozojnë makinat e shtrenjta, duke thënë se paratë i bëjnë nga Tik-Toku duke treguar barcaleta. Programe televizive degjeneruese, pa pikë vlere. Mungesë totale, ZERO, e programeve edukative për fëmijë. Ishin mrekulli edhe “Çufoja me Bubin Kaçurrel”, sepse na argëtonin e na mësonin që të mos hidhnim mbeturinat në rrugë.
Shkojmë dhe më tej…
Hajdutëria dhe vjedhja prej atyre që kanë në dorë pushtet, shitet si sukses dhe fëmija i hajdutit i bën karshillëk fëmijës tim “modest”. Në shkolla fëmijët e dinë të gjithë se ku u punojnë prindërit secilit, pasi djali apo vajza e gjykatësit, drejtorit, ministrit etj, gjëja e parë që bën është “prezanton” mësuesen me babin dhe mamin. Fëmija i “thjeshtë” e shikon sesi shoqen e saj të bangës e sjell në shkollë shoferi i babit që është drejtor. Kuptohet, me makinën e shtetit. Dhe ajo kupton se kjo jetë nuk bëhet e mirë duke qenë vetëm një nxënës i mirë.
Edhe me keq….
Nuk ka asnjë shenjë që kjo situatë të ndryshojë. Të rinjtë ende duan të largohen. Paraja nuk është shpërblimi për punën që bën, por qëllim dhe mjet që dikton çdo gjë në këtë vend. Një klasë politike e mbërthyer në një betejë gladiatorësh (lufta mbaron kur vdes njëri). Një ekonomi që mbahet në këmbë vetëm me ndërtime (hekur, beton dhe asfalt)…. Të mendosh për arsimin, edukimin dhe kulturimin e fëmijëve, duket luks i madh.