Kosova nuk ka shanse të marrë pjesë në garën e madhe muzikore të Evropës. Meqë Kosova nuk është pjesë e EBU- Unionit të Transmetuesve Evropianë, do të jetë e pamundur që të jetë shtet pjesëmarrës në Lisbonë, vitin tjetër.
ESCtoday ka kontaktuar me EBU të cilët kanë treguar se Kosova nuk do të jetë shtet pjesëmarrës në Eurovizion vitin tjetër, vitin 2018-të, kjo edhe për shkak se Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, shkruan KultPlus.
Kosova ka provuar të jetë pjesë e Eurovizionit disa herë, por kjo ka qenë e pamundur për shkak se RTK-ja, transmetuesi publik, ende nuk është anëtar i rregullt i EBU, pos bashkëpunimeve të ndryshme me të që nuk garantojnë pjesëmarrjen në Eurovizion.
“EBU bashkëpunon me RTK-në dhe ka ndihmuar në formimin e televizionit, në vitin 1999. Bashkëpunimi gjithashtu do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme” tregojnë nga EBU për ESCtoday.
Vitin tjetër në Eurovizion do të rikthehet Rusia, pasi këtë vit nuk morri pjesë, ndërsa ende pritet të shihet nëse Sllovakia e Bosnja poashtu do të bëjnë rikthimin e tyre në garë, shkruan KultPlus.
Shqipëria ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë garë. Këtë vit Eurovizionin e fitoi për herë të parë një këngëtar nga Portugalia.
Ironike të përmendet se rezultati më i mirë shqiptar në Eurovizion është arritur në fakt nga një shqiptare e Kosovës, këngëtarja Rona Nishliu, në vitin 2012-të.