Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nuk e ka miratuar Projektligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, raporton Ekonomia Online.
Deputetja e PDK-së, Florentë Zejnullahu, e cila prezantoi nismën ligjore për këtë projektligj, tha se ai është shumë i nevojshëm për qytetarët që janë dëmtuar në mungesë të tij.
“Buxheti i shtetit dhe qytetarët janë dëmtuar. 6 milion euro brenda vitit kanë blerë barna qytetarët. Qytetarët duhet të mos blejnë barna me çmime të larta. Çmimet e barnave duhet të jenë të njëjta në secilën barnatore. Shpresoj ta rregullojmë këtë fushë”.
E për këtë, deputeti i VV-së, Haxhi Avdyli, tha se marzha e fitimit është tanimë e përcaktuar dhe se ligji ëdhtë kryer në ministri.
“Unë kam edhe ligjin që është kryer në ministri dhe brenda disa ditëve vjen edhe në komision. Më shumë ka zhargon të fjalëve por nuk pashë se sa do të jetë marzha. Është përcaktuar me ligj marzha e fitimit. Besoj që këtu mund të gjehet një gjuhë e përbashkët dhe të amandametohet”.
Ndërsa, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, kritikoi Qeverinë për shtyerjen e kësaj nisme.
“Nisma ligjore ka filluar në muajin mars. Qëllimisht është shtyrë nga Qeveria. Ka mbetur vetëm në agjendë. Më vjen mirë që kjo iniciativë e jona të ketë angazhuar dikë në Ministri të Shëndetësisë. Nëse ka qeveria draft mundet me e inkorporua mes dy leximeve. Qëllimi është me e rregullua këtë sektor në aspektin ligjor”.
Edhe Armend Zemaj, deputet nga rradhët e LDK-së, tha se ky projektligj do të ishte i nevojshëm për qytetarët.
“Mirë është të rregullohet kjo fushë me ligj. Këtu ka të involvuar edhe sektorë tjerë. Mes dy leximeve Qeveria duhet të implikohet edhe nëse sjellë draftin vet. Kanë kaluar 4 muaj që ky ligj është i gatshëm. Mendoj që duhet ti japim përkrahje në parim”.