Nuk ndihmojnë rezolutat e as tribunalet, Serbia duhet të paditet në të gjitha anët

Prishtinë | 17 Maj 2019 | 10:59 | Nga Musa Sabedini

Klasa politike në Kosovë është zgjuar nga gjumi njëzet vjet pas luftës, sepse deri më tani ishte e zënë pas hajnisë. Edhe sikur të themelohen tribunale të shumtë, edhe sikur të aprovohen dhjetëra rezoluta, rezultati do të jetë zero nëse nuk aktivizohen prokuroritë nëpër komuna dhe Prokuroria Speciale. Ka qindra dosje që janë deponuar edhe zyrtarisht, ka dhjetëra materiale arkivore, me dëshmi të gjalla që ndodhen të deponuara nëpër prokuroritë themelore, por kurrë dhe asnjëherë nuk janë hetuar. Sistemi i drejtësisë është i krimbur.

Shumë pluhur u ngrit për këtë Tribunalin për krimet serbe, shumë pluhur për një Rezolutë të vetme që dënon gjenocidin dhe krimet serbe, shumë pluhur të panevojshëm për një foto të Flora Brovinës, shumë pluhur prej një grupi të caktuar të njerëzve që kurrë s`kanë dashur të hetohet Serbia dhe nuk duan as sot e asaj dite.

Serbia i ka borxh shumë Kosovës, për Serbinë çfarëdo që shkruan ose flet nuk koritesh. Krimet janë evidente, masakrat janë të ditura botërisht, dhunimet gjithashtu, vrasjet e rënda, vrasjet e shumta, dëmet materiale dhe shumë. Serbia e ka goditur dhe lënduar Kosovën në të gjitha aspektet.

Jo rastësisht Serbia, e cila së bashku me ushtrinë e saj, e ndihmuar nga paramilitarët serbë dhe policia kanë vrarë në mënyrë të organizuar fëmijë, nxënës, studentë, bujq, imamë, shurdhmemecë, rojtarë, zjarrfikës, profesorë, drejtor shkollash, minatorë, taksistë, amvise, juristë, inxhinierë, kamerierë, gazetarë etj.

I janë dashur kësaj klase politike hiq më pak se njëzet vjet që të zgjohet nga gjumi dhe të kërkojë drejtësi. “Duhet të dënohen kriminelët serbë dhe të sillen para drejtësisë”, ky ishte slogani i krerëve shtetërorë, definitivisht qesharak dhe të vonuar. Qesharak, sepse tashmë shumë dëshmitarë kanë vdekur ose janë të sëmurë rëndë dhe pa asnjë përkrahje nga shteti, qesharak sepse shumë serbë të dyshuar tashmë janë rehatuar dhe, ose kanë vdekur, ose ndodhen në vende të sigurta.

Pra, faji është pak a shumë është kolektiv. Kur dikush shkruante për dhunimet dhe vrasjet e kryera nga paramilitarët serbë, të tjerët bënin sehir ose nuk donin ta prishnin rehatinë në raport me Serbinë. Edhe sot kur po lexoj e shoh se si po çirren një kategori e këtyre njerëzve, nuk befasohem aspak, sepse të tillët kurrë s`kanë dashur të hetohet Serbia.

Mos ndëshkimi i krimeve serbe e ka detyruar Kosovën që ta ulë pazarin në të gjithë tavolinat e bisedimeve. Serbia, nga një shtet kriminal, në këto bisedime dilte paqësore. E dhimbshme kjo. Pse ndodhi kjo, është fare e lehtë, sepse klasa politike me dekada po organizohej për të vjedhur, plaçkitur pronat publike, për të bërë skema hajnie e vjedhje marramendëse. Thjesht, nuk kishte kohë të merrej me krimet që kishte bërë Serbia në Kosovë.

Të gjitha qeveritë pa përjashtim, synonin punësimet partiake, mbushnin arkat e partive të tyre, ndërsa nuk ishin në gjendje që grave të dhunuara t`ua bënin një pagë dinjitoze. Jemi shoqëri me gjynahe të mëdha dhe janë këto institucione që kurrë historia nuk ka për t`ua falur. Por, mbi të gjitha, janë prokurorët ata që kanë gjynahe ekstreme në këtë drejtim.

Janë qindra dosje, dokumente, arkiva, fotografi, deklarata, libra dokumentues, dëshmitarë të gjallë, që nuk u morën parasysh nga prokurorët vendorë. Pse atëherë po presim përkrahje nga jashtë, kur këta prokurorë ose këto prokurori nuk e kanë bërë asnjë fletë arrest të vetëm, që është më e pakta që ka mundur të bëhet.

Edhe po të aprovojmë për çdo ditë rezoluta, edhe po të kemi të formuar një tribunal për të hetuar krimet serbe, pak besoj që situata mund të ndryshojë. Sistemi i drejtësisë është i krimbur në palcë dhe në koncept.

Në shumicën e prokurorive ende ka njerëz të klanit të Millosheviqit, të cilët kanë punuar që të bëjnë të pamundur deponimin e dëshmive. Pastaj është e kot rritja e pagave për prokurorët apo gjykatësit, sepse të tillët janë mësuar me ngrënë në dy lugë. Krejt çka mbetet në këtë situatë, është mundësia që komunat të padisin Serbinë, secila në mënyrën e vetë. Secila komunë i ka të arkivuara shënimet dhe të dhënat e luftës, janë emrat, regjistrat e serbëve të dyshuar, ato vetëm duhet të faktohen në adresën e saktë.

E keqja është që shumë dëshmitarë janë të sëmurë ose disa prej tyre edhe kanë vdekur. Kjo është bërë edhe me qëllim të caktuar, sepse vdekja e dëshmitarit në njëfarë mënyre e zbehë dëshminë.

Pse po merret kjo shoqëri aq shumë me Flora Brovinën, vërtet është për t`u shqetësuar. Edhe nëse ajo ka gabuar dhe ka shkelur etikën me botimin e asaj fotografie, krimet serbe nuk humbin as nuk zhduken. Asnjë veprim i asnjë qytetari shqiptar nuk e minimizon gjenocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës.

Uroj që Kosova dhe populli i saj të aktivizohet seriozisht, të përgatis materiale e dokumente të të gjitha llojeve dhe ta bëjë përgjegjës Serbinë, për krime, vrasje, dhunime, plagosje, dëmtim pasurie, vjedhje, plaçkitje dhe të gjitha këto të dorëzohen edhe njëherë nëpër prokuroritë vendore, kurse partitë politike që kanë bërë hetime paralele, është koha e fundit që t`i dorëzojnë ato materiale e arkiva se mjaft i kanë ruajtur nëpër sirtarë.

………………….

(Autori është gazetar dhe profesor i gazetarisë në UBT)

Të ngjashme