Bombardimet sikur ato në mëngjesin e sotëm në Siri, mund të ndodhin sërish.
Një gjë të tillë nuk e kanë mohuar as zyrtarët e lartë amerikanë, britanikë dhe francezë.
Të gjithë njëzëri u shprehën se nëse armët kimike përdoren përsëri nga regjimi i Assadit, ata do ta shqyrtojnë mundësinë e sulmeve tjera.
Sekretari amerikan i mbrojtjes, James Mattis gjatë ditës deklaroi se sulmet janë ndaluar për momentin.
“Nëse shkelen përsëri vijat e kuqe, atëherë mund të priten sulme tjera”, tha Mattis.
Njëjtë ka deklaruar edhe ministri i jashtëm francez, Yean-Yves Le Drian.
Në një konferencë për media ai tha se veprimet e reja ushtarake do të mbeten në tryezë, nëse kalohen vijat e kuqe, duke aluduar në armët kimike.
“Nuk kishte asnjë dyshim se në Douma ka pasur sulm kimik. Ishte e sigurt”, tha kryediplomati francez.
Kurse kryeministrja britanike, Theresa May në fjalimin e saj gjithashtu tha se përdorimi i armëve kimike është i papranueshëm.
As ajo nuk e mohoi që sulmet ajrore mund të realizohen sërish.
Por gjithë këto sulme nuk po e trembin liderin sirian, Bashr al-Assad. Ky i fundit deklaroi se bombardimet e fundit vetëm do ta bëjnë më të fortë.
Veç Iranit e Rusisë, shtetet e tjera të fuqishme kanë përkrahur veprimin e Amerikës, Britanisë dhe Francës.