Sot ishte dita e fundit e punës sime si ambasador.
Prita deri në ora 17:00 minuta me kohën e Australisë, dhe me kohën e Kosovës ora është 09:00 minuta. Askush nuk erdhi për të bërë pranim-dorëzimin në Ambasadën e Republikës së Kosovës.
Më erdhi ndërmend fakti se qysh në vitin 2000, për herë të parë pasluftës çlirimtare, kam bërë dorëzim-pranimin e pushtetit në Ferizaj – në mënyrë ceremonial për të instaluar frymën e demokracisë dhe të tolerancës politike, kurse sot, e 21 vjet më pas, nuk u bë ky akt institucional, për shkak se qeveria edhe pas tre muajve dështoi të sjellë një diplomat dhe aktualisht ambasada mbeti pas asnjë diplomat të vetëm.
Ç’është e vërteta, kam kërkuar instruksione se si të veprojë nga MPJD, por askush, prej ministres, kabinetit të saj e deri te sekretarja, nuk më kanë kthyer as email!
Në punën time në Kanberë, shpesh kam menduar se raportimet financiare për çdo muaj dhe kontrolli nga ministria ishin të tepruara, por sot u binda se sa me vend është ky raportim, sidomos në raste të këtilla të mos bërjes së dorëzim-pranimit.
Duke qenë se në Ambasadë ka materiale konfidenciale, vula, materiale konsullore, aparatura, vetura me targa diplomatike etj. etj., unë e kam bërë skenimin e gjendjes ashtu sikurse po e lë Ambasadën që ta kem si dëshmi. Nga ky çast, unë nuk kam përgjegjësi për Ambasadën.
E mbylla Ambasadën duke lënë gjithçka sikurse ishte, në mënyrë të rregullt, i lashë të gjithë çelësat brenda dhe më nuk kam asnjë qasje në të, dhe në ora 17:07 minuta dola nga Ambasada.
Qoftë edhe për ca javë, Ambasada de facto është e mbyllur, pasi që aty është vetëm stafi teknik dhe asnjë komunikim zyrtar në emër të ambasadës nuk mund të bëhet.
Për dy vite e tre muaj sa isha ambasador, kam pasur shumë përkrahje dhe mbështetje në të gjitha aktivitetet që kam ndërmarrë, prandaj dua të falënderoj komunitetin shqiptar në Dandenong, në Adelaide, në Shepparton, në Sydni, në Perth, Kanberë dhe atë në Melbourne, Shoqatën e Gruas, Klubet futbollistike shqiptare “Prishtina” dhe “Shqiponja”.
Dua të falënderoj edhe bashkëshorten time, Fitoren, e cila nuk iu nda sfidave me mua dhe e kisha inkurajues në gjithçka.
Nga nesër, unë më nuk kam asnjë përgjegjësi institucionale, i kthehem profesionit tim shkencor. Nuk do të heshtë, sepse këtë nuk e kam bërë nga rinia e hershme edhe kur kishte çmim të shtrenjtë ngritja e zërit, por do të bëhem krah i atyre që angazhohen për mbrojtjen e lirisë dhe të demokracisë në Kosovë, vlera këto të cilat po manipulohen.