Autoritetet nuk ia kanë dalë që të sigurojnë cilësinë e derivateve që importohen në Kosovë, ka vlerësuar Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin e Auditimit të Performancës “Sistemi i kontrollit dhe i monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës”, të publikuar të hënën.
“Sistemi ekzistues i kontrollit dhe i monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës nuk është në gjendje të sigurojë cilësinë e derivateve të naftës në importe dhe në tregun e brendshëm”, thuhet në Raport, shkruan sot Koha Ditore. Aty vlerësohet se Dogana e Kosovës ka arritur që mesatarisht çdo vit të kontrollojë rreth 5% të importeve të derivateve të naftës, që është në pajtim me parametrat e paracaktuar të riskut.
Po ashtu, sipas Raportit, të gjitha rastet që kanë rezultuar si jokonforme në import i ka kthyer në vendin e dërgesës, por theksohet se me gjithë përpjekjen e Doganës për të përmirësuar procesin e kontrolleve të derivateve të naftës në import, kontrollet nuk kanë rezultuar të përshtatshme.
“Kjo ka ardhur si pasojë e mangësive të shumta, siç janë: mungesa e raporteve të testimit laboratorik në sistem, mungesa e informatave të plota në sistem për trupat inspektuese që kanë bërë marrjen e mostrave, pamundësia e identifikimit të trupave inspektuese në raste të caktuara, mungesa e akreditimit të laboratorit të Doganës, si dhe numri i vogël i parametrave të testuar. Arsyet e këtyre mangësive përfshijnë mungesën e një baze të plotë të të dhënave mbi marrjen dhe testimin e mostrave. Po ashtu, ka munguar vullneti për të vazhduar me akreditimin duke e konsideruar si kërkesë vullnetare dhe jo obligative”, thuhet në Raportin e Auditorit.