Numër i madh i qytetarëve janë grumbulluar të enjten në Qendrën për patentë shofer në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Siç shihet edhe në fotografitë e bëra nga Ekonomia Online, këta qytetarë që po presin për paraqitjen e provimit teorik për patentë shofer nuk po respektojnë as distancën si mas mbrojtëse nga Covid-19.
Qytetarët të pyetur nga Ekonomia Online thanë që janë duke pritur që nga ora 7:15 për regjistrim në test teorik
Qytetari Drinor Salihu, tha se është duke pritur që nga ora 7:15 dhe se kjo pritje e gjatë po është maltretim për ta duke pasur parasysh edhe pandeminë.
“Që nga ora 7:15 jam duke pritur edhe ftoftë edhe jemi lodhe duke pritë”, tha qytetari Salihu.
Në anën tjetër qytetari Besnik Sadiku tha që është duke pritur që në orët e hershme të mëngjesit dhe sipas tij, do të ishte mirë që paraqitja e testit teorik të bëhej online.
“Shumë herët kam ardhur, më shume do preferoja të paraqitja testin në mënyrë”, tha Sadiku.
Qytetari Ylber Shabani i cili kishte ardhur të paraqiste testin për djalin e tij thotë se është shumë maltretim me prit në këtë radhë të gjatë.
“Që një gjysmë orë jam duke pritur, për djalin kam ardhur dhe paska shumë qytetarë duke pritur”, u shpreh ai.
Numri i madh i qytetarëve vazhdon duke u rritur dhe deri në përfundim të ditës pritet të paraqesin një numër i madh i tyre, krejt kjo si pasojë e pengesave gjatë pandemisë dhe pezullimit të punës.