Në edicionin e katërt të Javës së të Drejtave të Njeriut, u mbajt panel diskutues “Qasja në Edukim” e cila ka për synim sistemin e edukimit duke analizuar gjendjen aktuale dhe mënyrat e ecjes përpara, raporton Ekonomia Online.
Alberta Alihajdari, nga GIZ me temën tha se projekti i tyre ka për qëllim gjithëpërfshirjen e fëmijëve në arsim që sipas saj, do të krijonte një arsim cilësor.
“Përfshirja me ligj përfshihet për të gjithë fëmijët, aftësimi përkatës i mësimdhënësve nuk e mundëson përfshirjen e të gjithë fëmijëve në shkollë, është një sfidë për shumë institucione arsimore dhe për të gjithë. Projekti jonë ka për synim gjithëpërfshirjen për zhvillim të qëndrueshëm për arsim gjithëpërfshirës dhe cilësor”.
Hilmi Jashari, Avokat i Popullit, tha se Qeveria duhet të bëjë më shumë për gjithëpërfshirjen e grupeve të margjinalizuara në arsim.
Ai më tej shtoi se edhe pse ekzistojë ligje, por që nuk gjejnë zbatimin e duhur, raporton EO.
“Është problematike që nuk ka gjithëpërfshirje në sistemin e arsimit sidomos për grupet e margjinalizuara. Qeveria dhe vendi duhet të bëjë veprime imediate emergjente për të siguruar këto dy pjesë. Nuk ka strategji të qartë qeveritare që do ju mundësonte të linjtëve deri tek punësimi. Në një vend normal është detyrë e qeverisë me pa se cila është perspektiva zhvillimore e këtyre të rinjve. Në Kuvendin e Kosovës janë bërë ligje për këto grupe të cenueshme, por nuk janë të zbatueshme”, tha Jashari.
Ilirjana Geci, nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar me temën, tha se kanë numër të madh të fëmijëve me nevoja të veçanta që nuk përfshihen në arsim.
“Forumi kosovar i aftësisë së kufizuar është anëtarësuar në forumin evropian të aftësisë së kufizuar. anëtarësimi në këtë forum është tregues i mirë që të përcjellim zërin e personave me aftësi të kufizuar që ta përcjellim edhe në nivel global dhe jo vetëm nacional”, tha ajo.
“Ne kemi zhvilluar shumë aktivitete që kanë pas për qëllim të rrisin edukimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara ku është numër i madh i fëmijëve të kësaj kategorie që nuk përfshihen në arsimin në Kosovë”.