Numërimi drejt fundit, kush janë më të votuarit?

Prishtinë | 02 Jan 2026 | 15:04 | Nga Ekonomia Online

Kanë mbetur edhe rreth 5 për qind të votave për përfundim të procesit të numërimit të votave në vendvotime nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Tashmë janë bërë të qartë emrat më të votuar nëpër lista.

Lëvizja Vetëvendosje ka mbërritur në mbi 400 mijë vota si partia më e madhe, e kandidati i saj për kryeministër Albin Kurti i prin listës me më shumë se 330 mijë vota.

Në LVV, më të votuarit pas tij janë Glauk Konjufca me më shumë se 255 mijë vota, Albulena Haxhiu e Hekuran Murati me më shumë se nga 134 mijë vota dhe Donika Gërvalla me më shumë se 120 mijë vota.

Te Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, si kryetar dhe prijës i listës ka marrë 146 mijë vota. Pas tij, i dyti ka dalë Arian Tahiri, ndërsa top-pesëshen e mbyllin Përparim Gruda, Uran Ismaili e Sala Jashari me mbi 43 mijë vota.

Lumir Abdixhiku, kandidati i LDK-së për kryeministër ka marrë më shumë se 75 mijë vota. Pas tij, në LDK e dyta doli Hykmete Bajrami, ndërsa Ukë Rugova, Avdullah Hoti e Doarsa Kica-Xhelili mbyllin top-pesëshen.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që ka siguruar gjashtë ulëse më i votuari ishte kandidati i saj për kryeministër, Ramush Haradinaj me rreth 39 mijë vota. Top-pesëshja kompletohet nga Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha e Agim Çeku.

Në të njëjtën kohë ka nisur numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje do të mund të formojë Qeverinë vetëm në bashkëpunim me komunitetet joshumicë. Partia e Albin Kurtit ka marrë 56 ulëse nga 100 sa janë për partitë shqiptare. PDK-ja do t’i ketë 23, LDK-ja 15 e AAK-ja 6.

Të ngjashme