Numri i udhëtarëve me tren ulet për 19.32 për qind

Prishtinë | 02 Maj 2017 | 15:06 | Nga

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikacionit” për tremujorin e katërt (TM1) 2017, me të dhëna për transportin ajror, hekurudhor dhe postë telekomunikacionin.

Sipas publikimit në territorin e Kosovës janë gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport dhe 110 binarë hekurudhorë privatë.

Ndërsa, qarkullojnë 8 lokomotiva disel, të cilat bartin 27 vagonë: 9 të udhëtarëve dhe 18 për bagazh.

“Në tremujorin e parë të vitit 2017, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është 52 mijë, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2016, ku numri i udhëtarëve është ulur për 19.32%”, thuhet në publikim.

Transporti i mallrave me tren, në tremujorin e parë të vitit 2017, është 98 mijë tonë, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2016) ka pasur një rritje për 23.30%.

Ndërsa, numri i fluturimeve në tremujorin e parë (TM1) të vitit 2017 ishte 1 372, ose 4.26% më shumë se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2016). Kurse, numri i udhëtarëve, që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti, ishte rreth 357 mijë, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2016) ka një rritje për 2.01%.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme