Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka thënë se marshi i sotëm kishte për qëllim të kërkojë drejtësi ndaj atyre që po gjykohen në Hagë.
Nura tha për Ekonomia Online se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen tash dy vjet në paraburgim, është dashur të mbrohen në liri. Por, la të kuptohet se Gjykata Speciale nuk ka qenë objektive deri më tani.
“Shpresojmë në bazën e fakteve dhe atyre që janë të njohura ata duhet të jenë të lirë. Nuk do të duhej të ishin 2 vite paraburgim sepse është krejtësisht e panevojshme, aq më tepër kur edhe shtete të treta kanë garantuar mbrojtjen në liri të tyre. I gjithë ky marsh kishte këtë fokus, këtë qëllim, thjesht drejtësi”, tha Nura për EO.
Për Gjykatën Speciale në Hagë ai tha se është institucion që është themeluar nga Kosova, mirëpo nuk duhet të jetë në shërbim të politkës dhe sipas tij aktakuzat janë të fabrikuara nga Serbia.
“Ai është institucion që është themeluar nga Kosova, duhet të jetë qartë objektive dhe mos të jetë në shërbim të politikave ose gjeopolitikave. Fatkeqësisht, e dijmë se aktakuzat janë të fabrikuara nga Serbia, Rusia dhe gjitha ato që tanimë janë publike”, tha Nura.
“Të gjitha ato materiale janë produkt i Prokurorisë të Serbisë dhe kjo është e qartë”, theksoi Nura.