Nuredin Ibishi sërish do të dëshmojë në Speciale

Prishtinë | 30 Tet 2024 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) kanë njoftuar se Nuredin Ibishi do të dëshmojë sërish pas përfundimit të dëshmisë së një dëshmitari tjetër, i cili do të dëshmojë gjithashtu në seancë publike.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i DhSK-së, Christopher Bennett për Albanian Post.

“Dëshmitari i radhës, i cili fillon të dëshmojë në orën 15:15 përmes streaming, po dëshmon publikisht. Pas përfundimit të dëshmisë së atij dëshmitari, Nuredin Ibishi do të vazhdojë me dëshminë e tij, sërish publikisht”, është thënë në njoftimin e DhSK-së.

Ibishi ka nisur dëshminë në Gjykatën Speciale më 23 tetor.

Kjo është hera e dytë që Ibishi po dëshmon në Hagë, meqë gjatë vitit 2022 kishte dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës.

Paraprakisht ka dëshmuar ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Geci, për të tretën ditë me radhë.

Ndryshe, drejt Hagës ka udhëtuar të dielën edhe ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimës gjatë luftës në Kosovë, Shukri Buja.

Ky i fundit theksoi se është ftuar “pa dëshirën e tij” nga DhSK-ja, por nuk ka dhënë detaje specifike rreth ftesës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

“Sot pa dëshirën time, me ftesë të detyruar të paraqitjes, udhëtova për në Hagë. UÇK-ja ishte e shenjtë, ishte kundër pushtuesit, falë luftës së saj të armatosur dhe falë përkrahjes së aleateve në veçanti nga SHBA-të ne e gëzojmë lirinë sot”, kishte shkruar ai.

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen nga ZPS-ja për vrasje, torturë e trajtim mizor në periudhën mes viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që ka nisur më 3 prill 2023, ish-drejtuesit e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Të ngjashme