Adri Nurellari, këshilltar politik i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se për shkak të aleancës strategjike me SHBA jo vetëm që duhet ta heqë tarifën pa pengesa, por edhe të futet në luftë kir kërkon aleati strategjik.
“Kur bëhet fjalë për aleancë me shtetin më të rëndësishëm të botës që kanë qenë vendimtar për mbijetesën kombit shqiptar në 1920 dhe 1999, jo vetëm që pranohet heqja e taksës, por nëse e lyp nevoja neve do të duhet edhe të futemi në luftë e të derdhim gjak sikurse e kanë bërë vende të tjera aleate të SHBA-ve”, ka shkruar Nurellari në faqen e tij në Facebook.
Deklarata e plotë e Adri Nurellarit:
Ditëve të fundit janë rishfaqur sërisht argumentet e anti-amerikanizmit apo zërat që përpiqen ta relativizojnë apo minimizojnë rëndësinë që ka për Kosovën, aleanca e ngushtë me SHBA-të. Mënyra se si këto zëra po e trajtojnë aleancën me amerikanët, për të justifikuar mbajtjen e taksës, është naive, e papërgjegjshme dhe shumë e dëmshme. Kur bëhet fjalë për aleancë me shtetin më të rëndësishëm të botës që kanë qenë vendimtar për mbijetesën kombit shqiptar në 1920 dhe 1999, jo vetëm që pranohet heqja e taksës, por nëse e lyp nevoja neve do të duhet edhe të futemi në luftë e të derdhim gjak sikurse e kanë bërë vende të tjera aleate të SHBA-ve.
Së pari duhet theksuar se sjellja aktuale me aleatët po e nxjerr Kosovën si një partnere të pabesueshme e mosmirënjohëse. Kosova kurrsesi nuk mund të tregohet bukëpërmbysese për faktin që fal iniciativës e kembënguljes së SHBA-ve, u ndërmorrën nga marsi deri në qershor 1999 sulme ajrore prej NATO-s të ciat i dhënë fund spastrimin etnik të tyre të shqiptarëve. Nuk duhet harruar që më 12 qershor në Kosovë u fut këmbësoria e NATO-s në territorin e Kosovës duke larguar njëherë e mirë forcat serbe. Prej atëhere misioni i KFOR ka garantuar integritetin territorial dhe sigurinë në Kosovë me kosto shumë të madhe përfshi mbi 200 ushtarakë të NATO-s që kanë humbur jetën.
Po ashtu roli i SHBA-ve ka qenë vendimtare jo vetëm për çlirimin e Kosovës por edhe për pavarësinë, konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar, shtet-ndërtimin apo formimin e ushtrisë, veprime që i ka ndërmarrë pavarësisht hezitimeve apo kundërshtimeve që kanë hasur prej shumë aleatëve të tjerë të tyre. Pra Kosova ka një borxh të pallogaritshëm ndaj çfarë ka bërë ky shtet për ne por gjithashtu ka një nevojë të pazëvendësueshme për ta pasur mbështetjen amerikane edhe në të ardhme. Nuk mund të sillet Kosova në mënyrë të pafytyrë që ti vjeli sa më shumë përfitimet prej mbështetjes amerikane kur i leverdis e mandej kur duhet të ndërmarrë një veprim në këmbim, sikurse taksa, të flasi me përçmim për aleatët.
Për ta kuptuar që aleanca nuk është veç nder privilegj por edhe përgjegjesi e obligim dhe për ta ilustruar më mirë këtë mjafton të shikojmë përfshirjen e aleatëve të SHBA-ve në luftën e bërë në Afganistan. Në solidaritet me SHBA-të pas sulmeve të 11 shtatorit, NATO evokoi për herë të parë artikullin 5 të Traktatit të Uashingtonit për mbrojtjen kolektive. Kësaj thirrje iu përgjigjen jo vetëm vendet e NATO-s por edhe shtetet e tjera partnere u përfshinë në luftën në Afghanistan në kuadër të operacionit Liria e Përhershme ( Enduring Freedom) e mandej në misionin Forca e Ndihmës së Sigurisë Ndërkombëtare (ISAF).
Në kulmin e saj kjo forcë kishte rreth 130 mijë trupa prej 50 shtetesh, pra edhe nga vende partnere që sot nuk bëjnë pjesë e klubit 30 anëtarësh të NATO-s. Nga ky koalicion ka pasur, deri në 2018 ka pasur 3459 të vrarë ndër të cilët 2313 janë ushtarë amerikanë për të vijuar mandej me 456 britanikë, 157 kanadezë, 90 francezë, 57 gjermanë, 53 italianë e kështu me radhë. Edhe vende që konsiderohen si super paqësore e të pasura, kanë paguar një kosto të rëndë njerëzore për hir të besnikërisë ndaj amerikanëve pasi Danimarkës i janë vrarë 43 ushtarë, Hollandës 23 e Norvegjisë 10 Në këto operacione ka pasur shumë të vdekur edhe nga vende jo anëtare të NATO-s që u përfshinë si për shembull 32 të vrarë të Gjeorgjisë, 5 të Suedisë, 2 të Finlandës 2 të Koresë së Jugut etj. Pra edhe vendt më të zhvilluara të botës, për hir të aleancës me SHBA-të kanë qenë të gatshme të japin kaq shumë sakrifica njerëzore në humbëtirat e shkretëtirës dhe malësive të Afganistanit.
Kjo është fotografia e kapitenit Feti Vogli, nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i rënë në krye të detyrës në shkurt 2012 në Kandahar të Afganistanit, në moshën 31 vjeçare. Pra edhe Shqipëria e ka paguar rëndë me një dëshmor angazhimin përkrah SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë në luftën e Afganistanit. Këto të dhëna të dhimshme vlejnë të përmenden për të kuptuar se çfarë do të thotë aleanca dhe partneriteti strategjik me një shtet.