Nurellari: Qeveria është përgjegjëse për krizën energjetike, kontratat mund të lidheshin kur çmimet ishin të arsyeshme

Prishtinë | 27 Dhj 2021 | 14:01 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Kryesisë i Partisë Demokratike të Kosovës, Adri Nurellari nëpërmjet një postimi në Facebook ka kritikuar qeverinë e Kosovës për krizën energjetike që e ka kapluar vendin.

Nurellari në postimin e tij thotë se qeveria e Kosovës ka pasur mjaftueshëm kohë për të lidhur kontrata në një kohë kur çmimet e energjisë nëpër bursa kanë qenë të arsyeshme.

Gjithashtu, ai potencon se ka pasur mundësi që në buxhetin e miratuar në tetor të parashikohej kosto e shtuar e çmimit ndërkombëtar në rritje dhe të dedikonte fonde për subvencionimin e bizneseve apo shtresave sociale.

Deklarata e plotë e Adri Nurellarit:

Kriza energjitike botërore u paralajmërua që në fillim të vitit, kështu që qeveria e Kosovës ka pasur boll kohë për të lidhur kontrata në një kohë kur çmimet e rrymës nëpër bursa ishin ende të arsyeshme. Është fakt i ditur nga të gjithë që gjatë dimrit prodhimi vendas nuk përballon dot konsumin në rritje e çdo qeveri duhet të përgatitet për import.

Po ashtu ka pasur mundësi që në buxhetin e miratuar në tetor të parashikonte kostot e shtuara të çmimeve ndërkombëtare në rritje dhe të dedikonte fonde për të subvencionuar bizneset apo shtresat sociale që dëmtohen më shumë.

Por ajo që është më e rëndësishme është të theksohen arritjet strategjike në fushën e energjisë për këtë kryeministër të papërgjegjshëm që është i aftë vetëm për demagogji.

  1. Detyroi kompaninë Contour Global që të tërhiqet nga ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re me investim 1.2 miliardë euro me kapacitet 500 megavatë.
  2. Bllokoi investitorin strategjik francez “Akou Energy” që kishte marrë miratimin vjet për të investuar në Vushtrri, mbi 110 milionë euro në energji me erë, në kuadër të projektit “Cicavica Wind Farm 1 L.L.C.”. Mediat kanë raportuar që Akou është zhvendosur në Maqedoni të Veriut.
  3. Bllokoi grantin 200 milionë euro të agjencisë amerikane MCC në për rrjetin e përçuesit të gazit, si dhe projektit për termocentral me gaz natyror që do mbulonte 20% të nevojave të Kosovës.

Të ngjashme