Nurnbergu mund ta përjashtojë Alushin, shkaku i Kosovës

Prishtinë | 15 Nën 2016 | 01:12 | Nga

Ardhja e Enis Alushit në ndeshjen Turqi – Kosovë, duhet çmuar jashtëzakonisht shumë. Ai i ka nxjerrë vetes problem të mëdha në klubin e tij, FC Nurnberg, vetëm e vetëm për të veshur fanellën e vendit të tij në takimin me Turqinë.

Mesfushori, që ishte ndër më të mirët në fushë për Kosovën, mund të përjashtohet nga skuadra e Bundesligës 2.

Ai për shtatë javë ishte i lënduar dhe ende nuk ishte kthyer në fushë për Nurnbergun. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit dhe mjeku e kishin këshilluar t’i thotë ‘JO’ grumbullimit me Kosovën, mirëpo ai nuk kishte pyetur askë, pasi bëhej fjalë për Përfaqësuesen e vendit të tij, me të cilën luan prej shumë vitesh.

“Ne nuk e rekomanduam që ai të bëjë këtë udhëtim. Këshillat mjekësore ishin të qarta. Ne nuk mund ta lidhim askënd, e lëre më të ndalojmë diçka të tillë, sepse ai nuk ishte më i lënduar”, deklaroi menaxheri i Nurnbergut, Andreas Bornemann për “BILD”, raporton “GazetaOlle.com”.

“Ai nuk ka nevojë të na arsyetohet dhe të na tregojë diçka më shumë. Ai e dinte qëndrimin tonë dhe iku. Me gjithë kuptimin që ka për kombësinë e tij, ai tani duhet të jetojë me pasojat e mundshme. Ne do të bisedojmë me të dhe këshilltarin e tij për të vazhduar apo jo bashkëpunimin”, shtoi Bornemann.

Alushi luajti tërë ndeshjen të shtunën, derisa kishte munguar ndaj Kroacisë dhe Ukrainës, shkaku i lëndimit.

Vitin e kaluar, Alushi ishte shpallur lojtari i vitit në Kosovë nga FFK.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme