Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, në një deklaratë për Ekonomia Online ka thënë se nuk bazohen te fushata zgjedhore dhe se do përkushtohen në kryerjen e obligimeve të tyre deri në dorëzimin e detyrës.
“Ne që në fillim të këtij viti kemi pasur takimin ku jemi zotuar se deri në momentin e fundit do të punojmë në realizimin e të gjitha projekteve, pa marrë parasysh a do të kandidoj kryetari i tanishëm i komunës sepse në atë kohë nuk është ditur a do jetë kandidat i mundshëm, dhe tash po e ceki se deri në ditën e fundit ne do të jemi të përkushtuar t’i kryejmë ato punët tona dhe pa u bazuar në fushatën aktuale e cila është dhe nuk kemi ndonjë pengesë në këtë aspekt, deri kur edhe do të dorëzojmë detyrën”.
Tutje, Nushi tha se nga këto zgjedhje pret një qeverisje jo të orientuar politikisht, por që dëgjon nevojat e qytetarëve.
“Pres një qeverisje e cila do të jetë e orientuar nga ana e qytetarëve, por jo qeverisje e orientuar nga përkatësia politike. Qytetarët kanë nevojë për ndihma, për realizimin e projekteve dhe ideve të tyre, ka shumë probleme kryeqyteti e këto probleme nuk mund t’i zgjedh një qeveri pasi duhet të jemi në kontinuitet të zgjedhjeve të problemeve të qytetarëve, prandaj po pres vërtetë një qeveri e cila është e gatshme dhe të jetë me qytetarët”, theksoi tutje ai.
Sa i përket Ligjit për kryeqytetin, nënkryetari i Prishtinës tha se nuk është arrirë të implementohet në formën më të mirë të mundshme, raporton EO.
“Ligji për kryeqytetin, nuk është arrirë të implementohet në formën më të mirë të kënaqshme, kjo nuk ka pasur pengesa vetëm subjektive por edhe objektive e qoftë edhe politike, cekim këtu krijimin e policisë së qytetit, dhe jo për fajin tonë, por shkak të neglizhencës së ministrisë së Punëve të Brendshme që do ndihmonte shumë”, përfundoi ai.