Nënkryetari i komunës së Prishtinës Muhedin Nushi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Qendrat e Mjekësisë Familjare në këtë komunë kanë kapacitet profesionale për të kryer vaksinimin e qytetarëve me vaksinën anti-Covid.
Tutje, ai shpreson se së shpejti Kosova do të fillojë vaksinimin masiv edhe pse ka dyshime se një gjë e tillë do të ndodh shpejt.
“QKMF-ja, por edhe QMF-të e Prishtinës e komunës së Prishtinës kanë kapacitete profesionale për të kryer këtë punë. Sidoqoftë ne jemi të gatshëm në çdo moment t’i respektojmë edhe masat e Qeverisë edhe çfarëdo lloj mase që do të vije në të ardhmen shumë të afërt rreth vaksinimit të qytetarëve tanë sepse është koha që të fillojmë me vaksinimin e qytetarëve. Kapacitete kemi mundësitë i kemi”.
“Trajnime nevojiten për punëtorë dhe besoj që Qeveria në këtë aspekt do të organizojë edhe trajnime siç janë organizuar edhe në shumicën e shteteve në botë ku veç ka filluar vaksinimi ose aty ku ka përfunduar sikurse Izraeli. Por po shpresojmë që së shpejti të fillojmë edhe ne me vaksinimin edhe pse kam dyshime se mund të fillojmë shumë shpejt”, shtoi Nushi.
Nushi shtoi se kanë staf të mjaftueshëm mirëpo nuk janë të trajnuar për këtë çështje, raporton EO.
“Staf të mjaftueshëm kemi mirëpo nuk është i trajnuar për këtë çështje. Nëse ka nevojë duhet patjetër varësisht edhe prej kujt do ta marrim vaksinën dhe Qeveria me cilën kompani do të lidh marrëveshje”.
“Me siguri që stafi do të trajnohet po shpresoj shumë që Qeveria ta ketë parasysh këtë çështje”.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë së mërkurës ka thënë se QKFM-të, spitalet por edhe palestrat sportive janë objektet ku do bëhet shpërndarja e vaksinës anti-Covid.