Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në Ferizaj, ku një nxënës ka humbur jetën në ambientet e shkollës së mesme “Kuvendi i Arbërit”.
Lajmi është konfirmuar për Klankosova.tv nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajit, Kanun Veseli.
“Me datë 17.04.2026, rreth orës 15:15, është pranuar një informatë se në shkollën e mesme “Kuvendi i Arbërit”, në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, një nxënës mashkull (15 vjeç), në rrethana ende të panjohura, është rrëzuar pa ndjenja në sallën e edukatës fizike.” tha Veseli.
Sipas Veselit, nxënësi është dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku sipas mjekut kujdestar, pavarësisht përpjekjeve për trajtim mjekësor, ai ka ndërruar jetë.
“Në lidhje me rastin janë njoftuar Njësia e Hetimeve e stacionit policor, hetuesit rajonalë dhe krimteknikët, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore” ka shtuar Veseli.
Rasti është raportuar edhe te prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për kryerjen e obduksionit.