Policia rajonale e Prizrenit, të martën, ka njoftuar se ka sekuestruar dy pistoleta nga një nxënës i Shkollës së mesme teknike “11 marsi”. Njërën prej këtyre pistoletave nxënësi i dyshuar e kishte me vete në shkollë.
“Me 24 tetor 2016 rreth orës 10:00, njësiti i hetimeve të stacionit policor në Prizren ka pranuar një informatë për një nxënës të Shkollës të mesme teknike “11 Marsi” në Prizren, që posedonte armë zjarri me vete. Në lidhje me këtë është njoftuar drejtori i kësaj shkolle dhe së bashku me të hetuesit kanë shkuar në bufenë e shkollës, ku kanë identifikuar të dyshuarin M.B., ku i njëjti ka filluar të ikë dhe gjatë ikjes e ka hedhur pistoletën në tokë, por i njëjti është kapur pas disa metrave”, ka thënë zëdhënësi i Policisë rajonale, Vesel Gashi.
Sipas rreshterit policor, së bashku me të dyshuarin, pjesëtarët e policisë kanë shkuar te vendi i ngjarjes dhe kanë sekuestruar pistoletën “Grizzly” të kalibrit 8 mm.
“I dyshuari i cekur më lartë në prani të prindit dhe avokatit ka pranuar se pistoleta në fjalë ishte e tij. Po ashtu, gjatë intervistës i njëjti pranon se ka edhe një pistoletë tjetër Ekol Firat Magnum, cal 9 mm”, ka deklaruar Gashi. Ai ka shtuar se të gjitha veprimet e ndërmarra janë bërë në konsultim më Prokurorin e Krimeve të Rënda. “Rasti vazhdon të hetohet edhe me tej provat dhe dëshmitë do të dërgohen ne prokurorin e shtetit për procedura te mëtutjeshme ligjore”, ka theksuar ai.