Nxënësit e klasave të pesta nuk po vijojnë mësimin, këshillat e prindërve sot protestojnë

Prishtinë | 02 Shk 2024 | 08:09 | Nga Ekonomia Online

Nxënësit e klasave të pesta në shkollën “Mihail Grameno” në Fushë-Kosovë nuk po vijojnë mësimin në gjysmë-vjetorin e dytë, për arsye të ndryshimit të orarit dhe kalimit në ndërrimin e tretë.

Në lidhje me këtë këshillat e prindërve do të protestojnë sot para kësaj shkolle, e cila është më e madhja në Fushë-Kosovë.

“Ky ndryshim i papritur i orarit çon edhe në ndërprerjen e aktiviteteve dhe kurseve edukative jashtë shkollës për të cilat fëmijët ishin përcaktuar në fillim të vitit”, thuhet në njoftimin e prindërve.

“Inspektorati i Ministrisë së Arsimit iu ka bërë thirrje për mbajtjen e orarit të njëjtë, por thirrja nuk ka pasur efekt. Përkundrazi, drejtori ka vazhduar me presion dhe ofendim ndaj mësueseve, duke pretenduar se ato janë organizatorët e bojkotimit”.

NJOFTIMI I PRINDËRVE:

Përshëndetje, media dhe gazetarë të nderuar!

Nxënësit e klasave të 5-ta në këtë shkollë po përballen me një sfidë serioze. Ata nuk po vijojnë mësimin që prej fillimit të gjysmë vjetorit të dytë, për shkak të ndryshimit të orarit të tyre në gjysmën e vitit.

Ky ndryshim i orarit është bërë duke i kaluar ne ndërrimin e tretë (me një njoftim te thjeshtë përmes viberit ne fund te dhjetorit 2023), duke shkelur ligjin Nr. 04/L-032 Ligji mbi Arsimin Para universitar, Neni 3, paragrafi 3.

Vendimi është marrur nga Këshilli Drejtues i Shkollës në mënyrë të jashtëligjshme, me bekimin e drejtorit të kësaj shkolle.

Pos kësaj, ky ndryshim i papritur i orarit çon edhe në ndërprerjen e aktiviteteve dhe kurseve edukative jashtë shkollës për të cilat fëmijët ishin përcaktuar në fillim të vitit.

Pavarësisht ankesave të prindërve të klasave të 5-ta, emailave dhe takimeve me Drejtorin e Arsimit (DKA) dhe pushtetin komunal të Fushë Kosovës, kjo çështje ka hasur në vesh të shurdhër. Gjithashtu, Inspektorati i Ministrisë së Arsimit iu ka bërë thirrje për mbajtjen e orarit të njëjtë, por thirrja nuk ka pasur efekt. Përkundrazi, drejtori ka vazhduar me presion dhe ofendim ndaj mësueseve, duke pretenduar se ato janë organizatorët e bojkotimit, (gjë që nuk është e vërtetë).

Ne, Këshillat e prindërve të klasave të 5-ta tashmë kemi depozituar ankesë në Inspektoratin e Arsimit për një inspektim urgjent të të gjitha parregullsive ne këtë shkollë, dhe po ashtu kemi lajmëruar policinë për mbajtjen e një proteste nesër, më datë 02.02.2024, duke filluar nga ora 12:30 para SH.M.U – Mihal Grameno – ANEKSI 1, në Fushë Kosovë.

Prandaj, ju ftojmë që të na ndihmoni në këtë çështje të drejtë, pasi ka ndodhur një shkelje ligjore. Synimi ynë është të mundësojmë që fëmijët të vazhdojnë mësimin në orarin e mëparshëm dhe, si rrjedhim, edhe aktivitetet e tyre të përcaktuara në fillim të vitit.

Duke shpresuar në përkrahjen dhe punën tuaj fisnike,

ju falënderojmë përzemërsisht.

Prindërit e klasave të 5-ta.

Të ngjashme