Organizata “Toka”ka mbajtur konferencën “Vullnetarizmi Edukativ për Fuqizim të Rinisë”, e cila ka për qëllim të ofrojë shkathtësi dhe mësime që nevojiten për të punuar në grupe vullnetare, raporton Ekonomia Online.
Në këtë konferencë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme nga e gjithë Kosova kanë prezantuar projektet e tyre për të ndihmuar komunitetin.
Jehona Gjurgjeala, drejtoreshë ekzekutive e kësaj organizate, thotë se vullnetarizmi edukativ i angazhon nxënësit në shërbim të komunitetet, kështu që përvoja e tyre ndikon në zhvillimin e tyre personal dhe akademik.
Ajo tha se vullnetarizmi edukativ është një fenomen global që shtrihet në tërë botën.
Gjurgjeala tha se interesimi për këtë konferencë ishte i madh.
“Kemi pas rreth 500 aplikime, ka njerëz që kanë ambicie për me dhënë ma të mirën e mundshme. Vullnetarizmi edukativ do të thotë shkathtësitë dhe mësimet për shekullin 21, duhet përvetësuar”, u shpreh ajo.
Ajo thotë se klubet e supervullnetarëve bazohen në kurrikulën “Impakt”.
“Mblidhen një kallabllak të rinj, që nuk njihen në mes veti. Duhesh me ardhë me kënaqësi. Kalojmë në identifikimin e nevojave si fazë tjetër. Bisedat në komunitet janë shumë të rëndësishme, me folë me dikon që nuk e njeh, qysh me e hekë marren. Planifikimi dhe implementimi është po ashtu me rëndësi. Dhe në fund është reflektimi dhe festimi,” tha ajo.
Ajo mori si shembull një kënd social në një shkollë të Kamenicës, duke theksuar se duhet shumë angazhim dhe kreativitet për të realizuar planet.
Heset Sahiti, zv. ministër në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka thënë se sistemi arsimor në vendin tonë është duke ecur me hapa pozitiv, por sipas tij në këtë rrugëtim ka edhe sfida. Ai thotë se kjo konferencë është një përkrahje ose shtytje për procesin arsimor në përgjithësi.
“Arsimi në vendin tonë është duke ecur me hapa mirëpo ka edhe sfidat e veta. Edhe kjo konferencë, i jep një përkrahje edhe procesit arsimor në përgjithësi. Unë ju inkurajoj për këtë konferencë dhe i përshëndes 40 mësimdhënësit e trajnuar për të vazhduar aktivitetet nëpër komuna. Ju përgëzoj dhe inkurajojë që të vazhdoni më tutje në këtë drejtim”, ka thënë ai, raporton Ekonomia Online.