Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Diasporës dhe i Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka pritur një delegacion me 45 nxënës dhe mësimdhënës kosovarë nga Gjermania që e vizituan ministrinë.
Duke qenë në të kaluarën vetë pjesë e diasporës, zëvendëskryeministri Gashi foli para nxënësve për rolin e tyre në të ardhmen në raport me Kosovën dhe për punët që Ministria e Diasporës ka para vetes në shërbim të kosovarëve që jetojnë jashtë atdheut.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke punuar për t’u dhënë më shumë rëndësi ideve dhe projekteve tuaja. Nevojat e diasporës kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit tuaj, shkollat në gjuhën shqipe dhe forcimi i kësaj lidhjeje ndërmjet nesh është prioriteti ynë”,- ka thënë ndër të tjera zëvendëskryeministri Gashi.
Nga ana tjetër, mësuesit nga diaspora kërkuan më shumë mbështetje institucionale për shkollat shqipe në mërgim.
Ndër kërkesat bërë ministrit ishte edhe bashkërendimi institucional me shtetet nga vjen diaspora në fushën e arsimit, për t’i shtyrë proceset e mësimit të gjuhës dhe kulturës shqipe për nxënësit kosovarë që jetojnë jashtë.
Me këtë rast, zëvendëskryeministri Dardan Gashi e ka siguruar delegacionin nga Gjermania se, në bashkërendim me institucionet përkatëse nga Republika e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë, do të bëjnë më shumë për mbarëvajtjen e shkollave shqipe në diasporë