Numër i madh i nxënësve kanë pritur në radhë në Gjimnazi “Ahmet Gashi”, në Prishtinë për t’u vaksinuar, raporton Ekonomia Online.
Vaksinimi i tyre është mundësuar fal një ekipi që ministria e Shëndetësisë ka angazhuar që të imunizohen nxënësit nëpër shkolla.
Nxënësit e vaksinuar kanë bërë apel të bashkëmoshatarët e tyre që ta marrin vaksinën në mënyrë që të mbrojnë veten dhe të tjerët dhe të mundësohet lirimi i masave.
Orhidea Behluli, tha se po ndihet shumë mirë pasi e ka marrë dozën e parë të vaksinës.
“Është doza e parë dhe po ndihna shumë mirë dhe s’kam pas frikë. Vaksinohuni të gjithë sepse kemi nevojë të lirohemi nga masat”.
Anila Berisha ka ftuar të gjithë që pa hezitim ta marrin vaksinën
“Unë vaksinën e kom marr për mu heq sa ma shpejt virusi dhe mendoj që të gjithë duhet ta bëjnë këtë. Është doza e parë që e marr”.
Përderisa drejtori i shkollës, Haxhi Metaj, tha se në bashkëpunim me ministrinë e Shëndetësisë kanë vendosur të vaksinohen nxënësit e klasave të 10 dhe 11, raporton EO.
“Një pjesë e nxënësve janë të vaksinuar. Aktualisht janë duke marrë vaksinën klasat e 10 dhe 11. Sugjeroj prindërit që t’i sjellin fëmijët e tyre sepse shpëtimi i popullit është veç vaksinimi”.
“Lus të gjithë të vaksinohen sa më shumë. Stafi teknik janë vaksinuar të gjithë”.
Gjatë së mërkurës vaksinimi i nxënësve është bërë në Gjimnazin “Xhevdet Doda”.