Nxjerrja e kursimeve pensionale për konsum – e pabazuar ekonomikisht dhe logjikisht

| 15 Shk 2022 | 16:09 | Nga

Kërkesa që një pjesë e kursimeve pensionale të investuara në Trust t’u lirohen kursimtarëve është e pabazuar edhe ekonomikisht e edhe logjikisht. Dmth po kërkohet që një person sigurinë e vet pensionale ta shpenzojë për konsum ditor sot. Vjet kishte deri diku logjikë sepse ishte jo vetëm vështirësia por edhe pasiguria për të ardhmen.

Ka shtete që e lejojnë qytetarët të nxjerrin një pjesë të kursimeve pensionale për investim (jo për konsum!)

Për shembull mund të investohen në bursë, në llogari individuale po pensionale.

Forma tjetër është investimi në patundshmëri. Ka vende që lejojnë për shembull që për patundshmërinë e parë të lejohet nxjerrja e një pjesë e kursimeve pensionale, deri në një moshë të caktuar. Kjo bën të shqyrtohet edhe te ne.

Por pa marrë parasysh vështirësitë e sotme, t’i lejohet një 55 vjeçari/je të nxjerrë sot para nga kursimet pensionale, e pas 5-10 vitesh të dalë në pension e të ketë më pak mundësi të mbulojë jetesën e vet, është, thënë më se buti, mendjelehtësi. Kjo i bie që po e detyron vetveten e pas 10 vjetësh, t’ia japë vetës së sotëm një lëmoshë e cila shpenzohet shpejt dhe s’nxjerr gjë në dritë.

Ekonomistët e dinë që një vend që ka inflacion të rritur, siç jemi ne tani, nuk duhet të stimulojë kërkesën por ofertën. Të stimulosh kërkesën në inflacion është t’i hedhësh benzinë zjarrit.

Për më shumë, ne jemi vend pothuajse tërësisht i varur nga importi për gjërat esenciale. Kjo i bie që nëse ne lejojmë që të nxirren 10 apo 30 përqind e parave nga Trusti, përfituesit më të mëdhenj do të jenë prodhuesit e gjërave ushqimore në vendet fqinje.

Kështu që jo, s’bën! Bëhuni më kreativë!

Të ngjashme