NY Times: Biden e mendon tërheqjen nga gara presidenciale

Prishtinë | 04 Kor 2024 | 09:02 | Nga Ekonomia Online

New York Times shkruan se presidenti i SHBA, Joe Biden i tha një aleati kryesor se ai e di se mund të mos jetë në gjendje ta “shpëtojë” kandidaturën e tij nëse dështon për ta bindur publikun në ditët në vijim se ai është i përshtatshëm për postin që mban.

Presidenti, tha aleati i tij kryesor, është ende i përkushtuar ndaj betejës së tij për ta fituar një tjetër mandat. Megjithatë, ai e kupton se paraqitjet e ardhshme janë vendimtare dhe duhet të shkojnë mirë. Programi i tij përfshin një intervistë me George Stephanopoulos të ABC News të premten, si dhe ndalesa të fushatës në Pensilvani dhe Wisconsin.

Tashmë, shoqëria amerikane po shpreh shqetësime si për qëndrueshmërinë e tij si kandidat, ashtu edhe nëse ai mund t’i përmbushë kërkesat e postit të presidentit amerikan për katër vjet të tjerë.

Një këshilltar i lartë i Biden, i cili gjithashtu foli në kushte anonimiteti për situatën, tha se presidenti është i vetëdijshëm për sfidën politike me të cilën përballet.

Biden po afrohet ngadalë me zyrtarët e zgjedhur demokratë. Në të njëjtën kohë, ai vazhdon të kontaktojë me njerëz të besuar prej kohësh dhe i ka thënë të paktën një personi se është i hapur ndaj mundësisë që planet e tij për ta kthyer vëmendjen te Donald Trump dhe për ta harruar paraqitjen e tij në debat mund të mos funksionojnë./EkonomiaOnline

Të ngjashme