Klima e të bërit biznes në vend, problemet me të cilat ballafaqohen bizneset, ankesat e mëdha për problemet me Energjinë Elektrike, konflikte mes Ligjeve, Ligji për Tregti të Brendshme, Ligji për Investimet Strategjike të ndryshoj dhe të bëhet funksional, mosaplikimi i vendimeve të marra nga ana e dy Qeverive dhe kontrolli i cilësisë së bukës, ishin disa nga pikat që u diskutuan në takimin e delegacionit të Odës së Afarizmit të Kosovës dhe ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.
Anëtari i bordit të OAK-së,Hamdi Malushaj foli për klimën të bërit biznes duke e konsideruar si fushë shumë të ndjeshme, dhe sfidat në të cilat po kalojnë bizneset ku si shkas i shumë problemeve, ato po vijnë deri te falimentimi i tyre.
Ndërsa Hysni Zogaj anëtar i bordit të OAK-së, ndër të tjera theksoi që taksa ka dhënë rezultatin e saj, dhe si shkas bizneset tona kanë pasur më shumë prodhim.
Zogaj gjithashtu ngriti si shqetësim çështjen e humbjes prej 85 milion euro nga Trusti Pensional, duke theksuar se ato të holla duhet të investohen në Kosovë, e jo të humbin në tregje të panjohura, andaj ai kërkoi nga menaxhuesit që të japin përgjegjësi për këto humbje.
Ministri Shala u shpreh i gatshëm që në çdo kohë të pres investitorët e huaj dhe të ofroj bashkëpunimin e tij maksimal.
Gjithashtu u diskutua edhe për promovimin e prodhimeve vendore brenda dhe jashtë shtetit, dhe se OAK është një lobuese e madhe për sjelljen e investitorëve të jashtëm në Kosovë, duke kontribuar në zhvillimin e vendit.
Në fund të takimit të dyja palët u dakorduan për thellim të bashkëpunimit ndërmjet tyre, duke ofruar rekomandimet përkatëse për çështjet që shihen si pengesë e operimit për bizneset.