Ish-presidentët amerikanë, Barack Obama dhe George W. Bush kanë ngritur zërin rreth klimës politike që po mbretëron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, komente që u panë si kritikë për presidentin aktual Donald Trump.
Obama ka lutur amerikanët që të heqin dorë nga politika e ndarjes dhe frikës, derisa Bush ka kritikuar “ngacmimet dhe paragjykimet” në jetën publike.
Ata kanë folur ndaras, por asnjëri s’ka përmendur presidentin Trump me emër.
Trump, që më parë ka qenë kritik edhe për Obamën edhe për Bush-in, ende nuk u ka reaguar komenteve.
Në SHBA është si zakon që ish-presidentët nuk komentojnë punën e pasardhësve të tyre.
Por, politikat e fundit në SHBA kanë detyruar ish-liderët të reagojnë. Ata të dy fjalimet i kanë mbajtur në New York, por në ambiente dhe ngjarje të ndryshme.