Obama mbështet Bidenin në garën për kandidat presidencial

Prishtinë | 14 Pri 2020 | 19:06 | Nga Ekonomia Online

Ish-presidenti i SHBA’së, Barack Obama, do ta mbështes ish-nënpresidentin, Joe Biden, për të fituar nominimin e Partisë Demokratike si kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2020.

“Joe ka karakterin dhe përvojën për të na udhëhequr në një prej kohërave tona më të errëta dhe të na shërojë”, tha Obama në një video 12-minutëshe të postuar në mediat sociale më 14 prill.

“Unë besoj se Joe i ka të gjitha cilësitë që na duhen për një president tani”, tha Obama, duke e quajtur zgjedhjen e tij, që Biden të garojë bashkë me të në vitin 2008 si “një nga vendimet më të mira që ka marrë ndonjëherë”.

Mbështetja nga Obama vjen një ditë pasi rivali i Bidenit në garën brenda demokratëve, senatori Bernie Sanders, tha se do ta mbështes ish-nënpresidentin në përpjekjen e tij për të mposhtur presidentin e SHBA-së Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Mbështetja e Sanders, e cila ndodhi një javë pasi ai doli nga gara presidenciale, u konsiderua si një përpjekje për të konsoliduar Partinë Demokratike e cila është e ndarë në ideologji.

Ekzistojnë shqetësime se disa nga krahu i saj përparimtar nuk do ta mbështesin ish-nënpresidentin, Joe Biden.

Të ngjashme