“Objektivi amerikan nuk e favorizon Kosovën, por Serbinë”

Prishtinë | 29 Shk 2020 | 19:00 | Nga Liri Loshi

Nuk e kemi fituar na pavarësinë pse Amerika ka dashur ta fitojmë, por pse ne kemi punuar, kemi rezistuar dhe kemi luftuar për të dhe për arsye se edhe pas lufte kemi qenë persistent në kërkesat tona. Ndryshe mund ta humbnim edhe pas lufte. Është krejt e qartë se objektivi ynë nuk do të arrihej pa Amerikën, pra as objektivi i çlirimit nga Serbia dhe as objektivi i pavarësisë. Mirëpo, nuk bën t’i përzijmë gjerat, objektivat ishin tonat, nuk ishin të SHBA-së.

Kur është fjala të persistenca duhet kuptuar se Serbia që njëzet vjet rresht punon kundër Kosovës për ta penguar funksionimin e saj si shtet. Serbët e kanë humbur luftën. Ne e kemi fituar pavarësinë sipas të drejtës ndërkombëtare dhe kjo është konfirmuar edhe nga Gjykata më kompetente në botë. Tash ku është problemi? Serbia pret që persistencën e saj njëzet vjeçare kundër Kosovës t’ia shpërblejë Amerika dhe Evropa. Një shpërblim i tillë nuk vjen pa u dëmtuar Kosova.

Këtu pra, detyrat janë të qarta. Serbia lufton për ta degraduar statusin politik të Kosovës në mënyrë që ta ndajë atë, ose ta bëjë jo funksionale deri në atë masë sa ndarja të bëhet opsoni i vetëm. Amerika tenton ta mbyll problemin e shqiptarëve me serbët në rajon në mënyrë që kjo pjesë e Ballkanit të lëviz drejt Evropës dhe të dalë përfundimisht nga ndikimi i Rusisë. Ky objektiv amerikan nuk e favorizon Kosovën, por e favorizon Serbinë. Sepse Serbia është ajo që i ka forcuar marrëdheniet me Rusinë viteve të fundit dhe jo Kosova.

Si rrjedhim, Kosova ka për detyrë ta mbrojë fuqishëm sovranitetin e vet që rrezikohet nga marrëveshja me Serbinë. Sovraniteti nuk mbrohet duke ia lënë në dorë punët tua SHBA-së, por duke persistuar për të drejtat tua. Shembulli më i mirë i persistencës është vetë Serbia. Në saje të neglizhencës sonë ajo ka arritur që ta relativizojë pavarësinë e Kosovës deri aty sa ajo të bëhet temë diskutimi në negociatat mes dy shteteve. Albin Kurti dhe qeveria e re nuk guxojnë të neglizhojnë, as nuk guxojnë të mendojnë se dikush do të na i kryejë punët tona më mirë sesa në i kryejmë vetë.

Të ngjashme