Obligimin e shkollës e kryejnë prindërit

Prishtinë | 27 Jan 2022 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Pas 12 orësh punë si infermier në ndërrimin e natës, Hasan Gashi kthehet në shtëpi për t’u kujdesur për vajzën e tij që vuan nga autizmi.

Vajza e tij 9-vjeçare ndjek klasën e parë në një shkollë të rregullt në Prishtinë. Për shkak të gjendjes së saj, është regjistruar me gati tre vjet vonesë dhe vazhdon ta ketë të domosdoshme shoqërimin nga një asistente personale, gjatë procesit mësimor.

“Vajza është hiperaktive, nuk rri shumë ulur. Tash që ka një asistente, e cila me profesion është psikologe, është përmirësuar”, rrëfen Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Angazhimin e asistentes, ai thotë se e paguan vetë: 250 euro në muaj, sepse shkolla nuk ka.

“Rreth 60 për qind të pagës e shpenzoj vetëm për asistente”, thotë Gashi, i cili punon si infermier në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në qytetin e Klinës, i cili ndodhet rreth 50 kilometra larg Prishtinës.

“Përveç kësaj [asistentes], vajza ka nevojë për terapi dhe qëndrim në qendrën sociale. Besoni, është e papërballueshme”, thotë Gashi, i cili vullnetarisht ka zgjedhur ndërrimin e natës në punë, në mënyrë që gjatë ditës, bashkë me bashkëshorten e papunë, të jenë më pranë vajzës së tyre dhe t’i plotësojnë nevojat e saj.

Vajza e Hasanit është në mesin e 4,323 nxënëseve me nevoja të veçanta që aktualisht ndjekin mësimet në sistemin e arsimit para-universitar në Kosovë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit (MASHTI), në nivelin nga 0 deri në 5 vjeç, numri i fëmijëve me nevoja të veçanta është 502.

Në arsimin fillor, nga klasa e parë deri në të pestën janë 1,863 nxënës të kësaj kategorie, kurse nga klasa e gjashtë deri në të nëntën janë 1,237.

Numri i nxënësve me nevoja të veçanta është dukshëm më i vogël në shkollat e mesme: 337.

Në qendrat burimore, që organizojnë mësim për fëmijët me nevoja të veçanta, të rënda dhe të shumëfishta, janë gjithsej 307 nxënës, ndërsa në klasa të bashkëngjitura në kuadër të shkollave të rregullta janë 77 nxënës.

Nga Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF dhe Forumi Kosovar për Aftësi të Kufizuara thonë se shumë fëmijë me nevoja të veçanta nuk i ndjekin mësimet, për shkak të pamundësisë për të pasur asistent personal.

Megjithatë, numri i tyre nuk është i qartë.

“Ka raste kur prindërit janë të detyruar t’ua ndërpresin mësimin fëmijëve me aftësi të kufizuara, për shkak të mungesës së asistentëve ose mungesës së fondeve për të paguar një asistent”, thotë Bukurezë Surdulli, specialiste për monitorim dhe hulumtim në KOMF.

Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, arsimi fillor është i detyrueshëm dhe pa pagesë.

“Institucionet publike sigurojnë për secilin person mundësi të barabarta për t’u arsimuar, sipas aftësive dhe nevojave të veçanta të tij/saj”, thuhet në Kushtetutë.

Ngjashëm thuhet edhe në Ligjin për arsimin para-universitar. Sipas tij, përgjegjës kryesorë për shkollimin e detyrueshëm të fëmijëve janë prindërit.

“Për nxënësin që pa ndonjë arsye nuk regjistrohet, nuk vijon shkollimin ose e ndërpret shkollimin e detyruar, prindërit e tij dënohen për kundërvajtje, nëse mungesa është rezultat i veprimit të paramenduar ose i neglizhencës së prindërve”, thuhet në ligj.

Kadriu: Angazhimi i asistentëve privatë është joligjor

Bujar Kadriu, nga Forumi Kosovar për Aftësi të Kufizuara, thotë se janë vetë institucionet ato që nuk e zbatojnë ligjin, pasi, sipas tij, nxënësve me nevoja të veçanta duhet t’iu sigurohen kushte të barabarta mësimi dhe asistentë personalë.

“Këta asistentë duhet të jenë të kualifikuar dhe punësuar nga institucionet publike, sepse angazhimi i tyre në mënyrë private nga prindërit është joligjor, e njëherësh barrë financiare për ta”, thotë Kadriu.

“Pagesa e asistentëve në mënyrë vullnetare është e kundërligjshme, sepse legjislacioni në fuqi nuk lejon që persona të tjerë të hyjnë në klasë dhe të asistojnë cilindo fëmijë, përfshirë këtu edhe fëmijët me aftësi të kufizuara. Asistentët duhet të zgjidhen dhe të paguhen nga institucionet shtetërore”, thekson Kadriu.

Shefki Rusinovci, drejtor i shkollës fillore “Pavarësia” në Prishtinë, ku ndjek mësimet edhe vajza e Hasan Gashit, konfirmon se është në dijeni për përfshirjen e asistentëve personalë në klasa.

“Në rastet kur institucionet kompetente nuk bëjnë zgjidhje, prindërve që kanë mundësi financiare për të paguar asistentë profesionalë, në bashkëpunim me organet e shkollës u lejohet angazhimi i tyre për nxënësit me nevoja të veçanta”, thotë Rusinovci për Radion Evropa e Lirë.

Në një deklaratë të MASHTI-t për REL-in thuhet se në institucionet para-universitare në Kosovë janë të punësuar 91 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta.

Prej tyre, 86 janë të angazhuar në shkolla të rregullta dhe pesë në qendrat burimore.

Për këtë vit, Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete financiare për punësimin e 100 asistentëve shtesë.

Sipas MASHTI-t, çdo vit deri në vitin 2025 do të punësohen nga 100 asistentë.

Komunat e Kosovës kanë filluar procedurat për punësimin e tyre nga ky muaj.

Hasan Gashi thotë se është interesuar për këtë çështje në shkollën ku ndjek mësimet vajza e tij.

“Zëvendësdrejtori më ka thënë se nuk ka ende diçka konkrete. Por, do të na njoftojnë, pasi shkolla i ka emrat e fëmijëve me nevoja të veçanta”, thotë ai.
Sipas MASHTI-t, asistentë personalë duhet të kenë vetëm nxënësit me aftësi të kufizuara të rënda dhe të shumëfishta, të cilët nuk mund të qëndrojnë në klasë pa përkrahje të asistentit.

Për nxënësin që duhet të ketë asistent në klasë, vendos ekipi vlerësues pedagogjik për fëmijët me nevoja të veçanta në secilën komunë.

Të ngjashme