O’Brien: Gjë e mirë që Radoiçiqi s’është më aktiv në veri si përpara – na është premtuar se ai do të përballet me ligjin në Serbi

Prishtinë | 29 Qer 2024 | 20:04 | Nga Ekonomia Online

Në Forumin e Dubrovnikut që po mbahet në Kroaci është folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në mënyrë konsistente thënë se krimet e kryera në shtator të 2023-tës duhet të dënohen.

“Presim dhe besojmë, pasi na është premtuar se Radoiciqi do të kalojë në një proces të plotë të ligjit në Serbi. Është gjë e mirë që ai nuk po shfaqet më aktiv në veri të Kosovës ashtu siç ka qenë, gjë e cila i ka benefitet pozitive. Por, presim që procesi ndaj tij të përfundojë. Ky është zotim për sundim  të ligjit”, tha O’Brien.

Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se përderisa i gjithë rajoni do që të shoh nga e ardhmja, është e kaluar e Serbisë që s’po i lë vendet tjera ta bëjnë një gjë të tillë.

“Nëse e shihni përbërjen e re të qeverisë serbe, ju do të shihni ministra të Millosheviqit, do të shihni ministra që janë të sanksionuar nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe dhe do të shihni shumë retorikë hegjemoniste në drejtim të të gjithë fqinjëve, jo vetëm në drejtim të Kosovës”, tha ajo.

Ditë më parë në Bruksel kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë takimit bilateral që pati me shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe emisarin special të dialogut, Miroslav Lajçak, përmendi tri kushte në mënyrë që të ketë takime të nivelit të lartë.

Kurti tha se Serbia duhet ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazike, ta tërheqë letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq dhe ta dorëzojë terroristin Millan Radoiçiq bashkë me grupin e tij para organeve të drejtësisë së Kosovës.

Të ngjashme