Organizata Botërore e Shëndetësisë po formon një grup të ri për të gjetur origjinën e koronavirusit. Pamundësia e OBSH-së për të deklaruar se ku dhe si filloi përhapja e virusit në fakt ka nxitur tensionet midis anëtarëve të saj, veçanërisht midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, ku rastet e COVID-19 u identifikuan për herë të parë në Wuhan në fund të vitit 2019.
Organizata bëri thirrje që të gjitha qeveritë të bashkëpunojnë për të përshpejtuar studimet për origjinën e pandemisë dhe për të depolitizuar situatën. Sipas OBSH-së, një grup i ri këshillues i quajtur Grupi Këshillues Shkencor Ndërkombëtar për Origjinën e Patogjenëve të Ri do të mbështeste studimet e mëtejshme.
“Ne duhet të punojmë të gjithë së bashku. Ju, unë, të gjithë duan të dinë origjinën e pandemisë më të keqe të këtij shekulli”, tha zëdhënësja e OBSH-së, Fadela Chaib, në një konferencë të Kombeve të Bashkuara, të premten.
Në raportin përfundimtar, të shkruar së bashku me shkencëtarët kinezë, një ekip i udhëhequr nga OBSH-ja që kaloi katër javë në dhe rreth qytetit të Wuhan, në janar dhe shkurt pati deklaruar se virusi ndoshta ishte transmetuar nga lakuriqët tek njerëzit përmes një kafshe tjetër. Mirëpo, sipas raportit të atëhershëm rrjedhja e tij nga laboratori ishte “jashtëzakonisht e pamundur”, raporton Reuters.