Me gjithë ngadalësimin e përhapjes së COVID-19 në disa vende, shkaku i izolimeve dhe programeve të vaksinimit, është ende tepër herët dhe “joreale” që të mendohet se pandemia do të përfundojë deri në fund të vitit.
Këtë paralajmërim e ka bërë të martën drejtori ekzekutiv për Emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Duke folur gjatë një konference për media në Gjenevë, eksperti Michael Ryan ka thënë se vaksinimi do të ndihmojë në eliminimin e “tragjedisë dhe frikës”, por jo edhe ta përfundojë aq shpejt pandeminë.
Këtë pritshmëri është duke e zbehur aktualisht përhapja e varianteve të reja të koronavirusit, të identifikuara fillimisht në Britaninë e Madhe, Brazil dhe në Afrikën e Jugut.
Për këtë shkak, shefja e Qendrave për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rochelle Walensky, ka thënë se vendi kërcënohet nga “rritja e katërt potenciale e rasteve”.
Kjo, sipas saj, është si rrjedhojë e shënimit të rreth 700 mijë rasteve të reja dhe vdekjes së më se 2 mijë personave në ditë gjatë javës së kaluar në SHBA.
Ndërkaq Gjermania ka përgatitur një plan, ende në formë drafti, për zgjatjen e masës së izolimit deri më 28 mars.
Drafti pritet që të diskutohet të mërkurën mes kancelares Angela Merkel dhe udhëheqësve të 16 shteteve federale, teksa bilanci i përgjithshëm i rasteve në vend ka shkuar në mbi 2.4 milionë të infektuar./ AP