Organizata Botërore e Shëndetësisë ka raportuar shifër rekorde të rasteve ditore të koronavirusit në nivel botëror të dielën. Për 24 orë, në tërë planetin u regjistruan 183,020 raste të reja të infektimeve.
Rritja më e madhe u shënua në Amerikën Veriore dhe në Amerikën Jugore. Këto dy kontinente së bashku i regjistruan mbi 116,000 raste të reja, shkruan “Reuters”.
Sipas të dhënave të institucionit kryesor botëror që është përgjegjës për luftimin e pandemisë, numri i përgjithshëm i personave të infektuar në nivel global ka shkuar në mbi 8.7 milionë, ndërsa më shumë se 461,000 pacientë kanë vdekur.
Rekordi i mëparshëm për numrin më të madh të rasteve ditore ishte shënuar vetëm para katër ditësh, më 18 qershor, kur për 24 orë ishin konfirmuar 181,232 raste të reja.
Ditëve të fundit, numrin më të lartë të rasteve ditore po e shënojnë Brazili dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa rastet kanë shënuar rënie të konsdierueshme në vendet kryesore evropiane.